Pas eventit të shkurtit të ketij viti, kur Keiretsu Forum SEE solli për të parën herë në Shqipëri dy prej fondeve më të mëdha të Kapitalit Sipërmarrës në rajon – Launchub dhe Vitosha Venture Partners, këtë herë ky forum ka zhvilluar edicionin e tretë rradhazi tē KEIRETSU FORUM SOUTHEAST Pitch Day (KFSEE), ku bëri së bashku sipërmarrës, inovatorë dhe investitorë nga Shqipëria dhe rajoni.
Ky event, të cilin KFSEE e organizoi në bashkëpunim me “EU for Innovation”, mblodhi pesë startup-e të cilët prezantuan idetë e tyre të biznesit përpara një salle të mbushur plot me një audiencë të përbërë nga anëtarë të forumit, investitorë, sipërmarrës, përfaqësues të pushtetit vendor, të rinj me ide inovative etj.
Eventi nisi me një ngjarje të rëndësishme, nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi midis Z. Ardian Hoxha, President i KFSEE, dhe Znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, dhe Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve. Kjo marrëveshje synon të mbështesë përtej rrjetin gjithëpërfshirës të engjëjve të biznesit (Angel Investors), përmirësimet legjislative për sipërmarrjen dhe forcimin e mekanizmave të investimeve në Shqipëri dhe rajon.
KFSEE, së fundmi, po bëhet një pikë kyçe për iniciativat e reja në Evropën Juglindore, duke organizuar panele të rëndësishme si “Fireside Chat”. Ky panel, moderuar nga Ravik Mima, CEO i KFSEE, përfshiu ekspertë si Zach Coelius, Partner i Coelius Capital, Silicon Valley; Francesco Cracolici, Drejtor Ekzekutiv i Nomadic Minds, Silicon Valley; dhe Stevica Kuharski, Partner në Fil Rouge Capital, Zagreb. Prezantimet dhe këshillat e tyre u pritën me shumë interes nga audienca, duke ofruar sugjerime të vlefshme dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me pjesëmarrësit.
Pesë Startup-et që prezantuan idetë e tyre ishin:
● Cleanex nga Shqipëria, që ndërlidh menaxherët e pronave të Airbnb me pastruesit e pavarur.
● TradeSmart nga Mali i Zi, që ofron një platformë multifunksionale për pagesa ndërkombëtare të sigurta.
● Hexidea nga Kosova, që ofron zgjidhje gjithëpërfshirëse për bizneset përmes inteligjencës artificiale.
● Patoko nga Shqipëria, vlerësuar si Startup i Vitit në ICT Awards, që lidh përdoruesit me ofruesit e shërbimeve të lëvizshmërisë.
● Mushroom Genetics, themeluar nga një sipërmarrës rus në Shqipëri, që prodhon suplemente dietike me cilësi të lartë nga kërpudhat.
Pas prezantimeve, u organizua një sesion rrjetëzimi ekskluziv, i cili ishte dhe eventi i parë i llojit të tij, organizuar në majë të Piramidës. Pjesëmarrësit patën mundësinë të krijojnë kontakte të reja dhe të marrin këshilla nga ekspertët e pranishëm, nën rrezet e perëndimit të diellit dhe në sfond me qytetin e Tiranës.
KFSEE do të vazhdojë mbështetjen e ekosistemit të sipërmarrjes, me thirrjen e radhës për sipërmarrës e cila do të hapet në korrik dhe eventin pasues që do të zhvillohet në Prishtinë, Kosovë.
Anëtarësimi në forum, i cili tashmë numëron 40 anëtarë, mbetet i hapur për të gjithë investitorët, sipërmarrësit, mediat si dhe aktorët e tjerë kyç të ekosistemit për të kontribuar në zhvillimin e inovacionit në rajon.