Deputetja e Parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mohimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë më 1998/1999 nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Kearns theksoi se një qëndrim i tillë përbën vazhdimësi të krimeve të asaj periudhe të errët.
Reagimi i saj erdhi pas një interviste të Vuçiqit për BBC-në, ku ai u pyet për të kaluarën e tij si anëtar i Partisë Radikale Serbe dhe mbështetës i konceptit të “Serbisë së Madhe” – një ideologji që çoi në luftë dhe krime të rënda në Ballkan.
Gazetari i BBC-së e pyeti Vuçiqin: “Ju keni qenë anëtar i Partisë Radikale Serbe, ideologjikisht i përkushtuar në vizionin e Serbisë së Madhe, e cila solli humbje të mëdha jetësh dhe krime lufte. Sa keni ndryshuar sot si president i Serbisë?”
Në përgjigje, Vuçiq u shpreh se nuk pajtohet me interpretimet për përgjegjësitë e krimeve në Ballkan.
“Nuk më vjen turp të them që kam ndryshuar, por nuk pajtohem me ju për atë se kush ishte fajtor dhe kush përgjegjës për ngjarjet e asaj kohe. Ne kemi pikëpamje të ndryshme, përfshirë edhe rolin e fuqive perëndimore që ndikuan në atë situatë”, tha Vuçiq.
Në një reagim në platformën “X”, Kearns e cilësoi mohimin e Vuçiqit si një sulm të qëllimshëm dhe të rrezikshëm.
“Mohimi është një armë që synon të lëndojë njerëzit dhe institucionet që janë ngritur nga hiri i luftës. Ai përbën vazhdimësi të vetë krimeve – ajo që fillon me dhunë dhe vrasje vazhdon përmes falsifikimit të historisë” – shkroi Kearns.