Kë njihni si kryetar të PD, Bashën apo Bardhin? Çuçi tregon se me kë do të bashkëpunonte PS

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi, në një dalje për mediat, ka ndarë prioritetet e socialistëve sa i takon sesionit të ri.

Çuçi u ndal te reforma zgjedhore, integrimi në BE dhe vota e emigrantëve, për të cilat i shtriu dorën edhe opozitës.

“Grupi parlamentar i PS do të bëjë maksimumin në procesin e integrimit. Në procesin e integrimit do të luajmë një rol të rëndësishëm në përafrimin e legjislacionit të Shqipërisë me BE. Kuvendi ka kohë që e luan këtë proces, por ky proces që quhet një krehje e të gjithë trupës shqiptare për të parë se sa është kompatibël, besoj se ka rol me rëndësi në këtë proces. Ne si grup parlamentar do të luajmë dhe një rol në atë që quhet diplomaci parlamentare ku deputetët e PS do të jenë të angazhuar për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe zhvillimet politike në Parlamentin Europian. Prioriteti i dytë që është i një rëndësie të madhe, është fokusimi i grupit parlamentar në reformën zgjedhore. Kemi një boshllëk që është krijuar nga vendimi i gjykatës Kushtetuese. Ne do të jemi angazhuar që t’i përshtatim këto kushte. Do të adresojmë pa humbur kohë reformën, votën e emigrantëve. Ne duhet të krijojmë mundësinë që të gjithë emigrantët shqiptarë të shprehen me votë për qeverinë që i duhet Shqipërisë. Për fat të keq kjo nuk është realizuar. Ne si PS e kemi qëndrimin tonë, kemi dhe draftin tonë që e kemi adresuar, pritet vetëm konsensusi nga opozita, që më pas ta kthejmë në një ligj dhe t’i japim shqiptarëve atë të drejtë që nuk është e vogël. Edhe opozita shpresoj që ta kuptojë këtë domosdoshmëri për të çuar para një grup nenesh që do të garantonin votën e emigrantëve në procesin e zgjedhjeve të përgjithshme të Shqipërisë.”, thaAI.

Çuçi ka folur sot dhe për bashkëpunimin me opozitën. Ai u pyet se në derën e cilit do të trokasë, të Gazment Bardhit, apo Lulzim Bashës, teksa tha se do të bashkëpunojë me atë që ka përfaqësinë ligjore.

“Ne do trokasim në zyrën në radhë të parë që ka përfaqësinë ligjore për t’u trokitur dhe në radhë të dytë që është i prirur të bëjë më të mirën për Shqipërinë. Se ku e cakton zyrën opozita nuk është çështja.

PD tani për tani e ka një kryetar të grupit parlamentar dhe një kryetar të partisë. Secila parti rregullohet me ligjet e veta”, tha Çuçi.

Ai theksoi më tej se “Kryetarin e PD-së e njeh gjykata nuk e njoh unë, kjo është shumë e qartë”. “Kryetarin e grupit parlamentar të një partie e njeh Kuvendit. Unë përgjigjem për grupin parlamentar të PS-së”, shtoi përfaqësuesi i PS.

Çuçi deklaroi se grupi parlamentar i një partie i ka rregullat e qarta dhe se nuk e zgjedh PS, kryetarin e një partie apo grupi parlamentar.


Shtuar 13.09.2023 13:10