Katër skenarët mbi të ardhmen e Rusisë pas rebelimit të Grupit Wagner

Nga Jeffrey Cmmino “Atlantic Council”

Përktheu Alket Goce – AlbEu

Marshimi i jashtëzakonshëm i forcave ushtarake të kreut të Grupit Wagner, Yevgeniy Prigozhin, drejt disa Moskës përfundoi papritur mbrëmjen e 24 qershorit. Por vendimi i Prigozhin për t’u tërhequr nga rebelimi dhe për të shkuar në Bjellorusi, nuk do të jetë fundi i historisë.

Ndërsa mund të jetë zbehur për momentin kriza për presidentin rus Vladimir Putin, për çfarë skenarësh duhet të përgatiten zyrtarët e SHBA-së dhe vendeve aleate në ditët, javët dhe muajt në vazhdim? Ja cilët janë 4 skenarët e mundshëm mbi të ardhmen e Rusisë:

  1. Rusia vazhdon të sundohet nga një Putin i dobësuar

Sipas këtij skenari Putin e rivendos rendin, dhe e redukton me efektivitet aftësinë e Prigozhin dhe Grupit Wagner për të sfiduar sundimin e tij. Prigozhin qëndron në Bjellorusi me një forcë të zvogëluar, ndërsa luftëtarët e tjerë të Wagner kthehen në Rusi ose u bashkohen radhëve të forcave të armatosura të rregullta ruse.

Megjithatë, edhe nëse Putini mbetet në pushtet për një të ardhme të parashikueshme, fasada e rendit dhe stabilitetit që ai ka ndërtuar gjatë 2 dekadave në pushtet është shkatërruar. Sepse “Cari” aktual i Rusisë ka treguar tashmë se është i pambrojtur ndaj aktorëve konkurrues për pushtetin e tij.

Veprimet e shpejta për të mënjanuar Prigozhinin, i largon sfidantët e mundshëm të brendshëm që të ndjekin shembullin e Wagner. Por Putini duhet t’i kushtojë ende një vëmendje shtesë qëndrimit në një linje të interesave të ndryshme oligarkike dhe të ndërmjetësve të pushtetit.

Dinamika e brendshme e Rusisë, do të diktohet nga fushata ushtarake në Ukrainë. Kapërcimi i rebelimit dhe parandalimi i sfidave të tjera të rënda ndaj autoritetit të tij, e lejon Putinin të ri-përqendrohet në një farë mase në luftën që ka nisur në shtetin fqinj.

Në këtë skenar, Putini është i pozicionuar më mirë për t’i përqendruar forcat e tij të sigurisë në parandalimin e fitimeve të mëdha për kundërsulmin e Ukrainës. Shpejtësia me të cilën u zgjidh kriza, si dhe mungesa e krizave pasardhëse brenda Rusisë, do të thotë se çdo efekt tek morali i ushtarëve rusë është i kufizuar.

Ukraina mund të arrijë ende disa përfitime të rëndësishme me kundërsulmin që ka nisur, por forcat e saj do të marrin më pak ndihmë nga rrëmuja e brendshme në Rusi. SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s, e shohin Putinin si të dobët dhe potencialisht të cenueshëm, par ata duhet të përballen ende me të si udhëheqës i Rusisë.

Por duke parë dobësinë e tij, ata janë të gatshëm të vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën dhe të vazhdojnë presionin ndaj Moskës, me sisteme të reja armësh. Ndërkohë, një Putin i dobësuar bëhet më i varur nga Kina, duke e modifikuar më tej statusin e Rusisë si partnerja e vogël e Kinës.

  1. Hyn në fuqi një regjim i ri

Në verën e vitit 1991, segmentet më radikale të regjimit komunist tentuan një grusht shteti kundër presidentit sovjetik dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste, Mikhail Gorbachev. Grushti i shtetit dështoi, por Gorbachev u dobësua dhe u largua nga pushteti në fund të atij viti.

Në këtë skenar, Putin pëson një fat të ngjashëm. Për momentin sfida e Prigozhin është anashkaluar. Por pozita politike e Putinit është e pariparueshme dhe po përkeqësohet me shpejtësi. Konkurrentët e brendshëm po rreshtohen, duke e konsoliduar forcën e tyre dhe duke pritur rastin e duhur për të goditur.

Përballë kërcënimeve të brendshme, Putini shpërqendrohet nga lufta në Ukrainë. Madje detyrohet të tërheqë një pjesë të forcave të sigurisë për t’u përballur me rivalët e tij. Në të njëjtën kohë, kundërsulmi i Ukrainës zgjerohet akoma më tej.

Forcat ukrainase arrijnë të çajnë pikat e dobëta në frontin rus, duke rimarrë një terren të konsiderueshëm, dhe duke e shkëputur urën tokësore që ka krijuar në gati 1 vit e gjysmë Rusia kur e pushtoi territorin ukrainas nga kufiri rus në Krime. Ushtarët e pakënaqur rikthehen në Rusi, të zemëruar me udhëheqjen politike të vendit që i dërgoi për të luftuar një luftë të përgjakshme dhe të dështuar.

Në këtë pikë, nisin të godasin kundërshtarët e Putinit. Ndoshta Prigozhin dhe Grupi Wagner riorganizohen në Bjellorusi dhe kryejnë një tjetër marshim drejt Moskës. Ose forcat e tjera nacionaliste përfitojnë nga pakënaqësia e shumë ushtarëve për të ndërtuar ushtritë e tyre në miniaturë jashtë kontrollit të shtetit.

Edhe pse kaosi duket i pashmangshëm, një regjim i ri e konsolidon shpejt pushtetin, duke parandaluar një luftë civile dhe duke rivendosur rendin në një epokë pas Putinit. Lufta në Ukrainë nuk përfundon menjëherë, por kërkesat për vendosjen e rendit zvogëlojnë gjasat për ndonjë ofensivë të re të rëndësishme ruse në terma të afërt ose afatmesëm.

Regjimi i ri do të fokusohet në shpëtimin e disa përfitimeve nga lufta, duke ruajtur në të njëjtën kohë stabilitetin në vend. Shtetet e Bashkuara dhe NATO përshtaten me këtë realitet të ri. Mund të ketë një shans për të lehtësuar tensionet nëse arrihet një marrëveshje afatgjatë e paqes ose armëpushim në Ukrainë.

Edhe pse nuk ka gjasa që shohim një shkrirje gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve Moskë-Perëndim. Regjimi i ri mund të mbetet përgjithësisht i afërt me Kinën, duke njohur nevojën e saj për t’u mbështetur më shumë tek partneri i saj kryesor strategjik.

  1. Mbërrin furtuna

Ashtu si në skenarin e mëparshëm, ka një pauzë të përkohshme të tensioneve, e pasuar nga një luftë civile. Kundërshtarët e Putinit trimërohen nga dobësia e tij e dukshme, e cila thellohet nga një situatë e përkeqësuar në fushën e betejës në Ukrainë. Por në këtë rast, asnjë konkurrent nuk është mjaftueshëm i fortë për të konsoliduar pushtetin.

Rusia ndahet në blloqe konkurruese. Kjo mund të nënkuptojë se Putini dhe besnikët e tij e ruan pushtetin e tij në Moskë, ndërsa Prigozhin dhe liderët nacionalistë krijojnë feudet e tyre kudo tjetër në federatë. Kjo do të sillte shtimin e lëvizjeve separatiste që e ndajnë më tej Rusinë.

Ky skenar ngre pikëpyetje të tjera. Për shembull, çfarë ndodh me armët bërthamore të Rusisë? Rusia ka mijëra armë bërthamore, dhe një luftë civile krijon mundësinë që aktorë të ndryshëm të përfitojnë nga kaosi dhe të kenë qasje tek këto armë.

Duke synuar të shmangë këtë të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe NATO do të provojnë ta frenojnë luftën civile brenda kufijve të Rusisë. Sa i përket luftës në Ukrainë, një luftë civile e qëndrueshme do të sillte shpërbërjen e shpejtë të linjave ruse mbrojtëse, pasi nuk ka më komandë dhe kontroll.

Ky skenar është veçanërisht i keq për Kinën, pasi ajo do të shihte se si rrënohej partneri i saj strategjik kryesor. Nga kaosi do të vuante edhe industria energjetike e Rusisë, dhe kjo do të thoshte se Pekini nuk mund të mbështetet aq shumë tek Moska për të përmbushur kërkesat e saj të tepruara për energji, dhe duhet të drejtohet diku tjetër.

  1. Reformatorët shfrytëzojnë momentin

Sipas këtij skenari, Putin arrin të mbajë pushtetin përmes zgjedhjeve presidenciale ruse të marsit 2024, të cilat shoqërohen me manipulime të mëdha. Në këtë rast, një opozitë me prirje më demokratike, ndoshta e lidhur me Alexei Navalny, do të shfrytëzojë rastin duke arritur të grumbullojë mbështetje të mjaftueshme popullore, me mitingje dhe protesta në të gjithë Rusinë që promovojnë ndryshimin.

Nën presionin e madh, elitat e Kremlinit shprehin simpatinë me reformatorët dhe Putin vendos në fund të japë dorëheqjen. Një lider reformist i fiton zgjedhjet e reja presidenciale.  Pas marrjes dhe konsolidimit të pushtetit, qeveria e re kërkon përfundimin e shpejtë të luftës në Ukrainë, duke u fokusuar në zbatimin e reformave anti-korrupsion dhe politike në Rusi.

Për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, ky skenar rrit gjasat që Rusia të bëhet një anëtare më e përgjegjshme e sistemit ndërkombëtar, dhe për të reduktuar tensionet ushtarake midis Aleancës dhe Moskës.

Sigurisht, ndryshimi nuk do të ndodhë brenda natës, dhe një Rusi e prirur ndaj reformave do të duhet të përballet me korrupsionin dhe problemet ekonomike të rrënjosura thellë. Nga ana e saj, Kina e sheh këtë skenar si katastrofik, pasi ajo përballet me një shtet të armatosur bërthamor në kufirin e saj, që në aspektin ideologjik është tani më pranë Perëndimit.

Këta skenarë nuk i shterojnë të gjitha mundësitë, por ato përbëjnë 4 të ardhme të besueshme, mbi të cilat politikë-bërësit e SHBA-së dhe aleatët duhet të marrin parasysh planifikimin e strategjive të tyre. Një skenar në të cilin vjen në pushtet një opozitë e prirur për reforma, është më pak e besueshme.

Sepse Rusia i ka rezistuar prej kohësh reformave të mëdha politike, dhe mbetet e paqartë nëse ekziston një lëvizje shumë e organizuar dhe me një mbështetje të mjaftueshme për të përfituar nga një boshllëk pushteti. Skenari i parë është më i afërti me status quo-në dhe Putini ka qenë jashtëzakonisht i qëndrueshëm si udhëheqës.

Nga ana tjetër, Putin nuk është shfaqur kurrë më i dobët sesa sot, dhe presioni i jashtëm i shkaktuar nga suksesi i Ukrainës në fushën e betejës mund të ndihmojë për të lehtësuar rrëzimin e tij nga pushteti.

Shënim:Jeffrey Cimino, zëvendësdrejtor i operacioneve dhe bashkëpunëtor në Qendrën Scowcroft për Strategjinë dhe Sigurinë, SHBA.

 


Shtuar 8.07.2023 16:05