Karburanti arrin në 220 lekë, dështon protesta kundër rritjes së çmimit të naftës/ Asnjë qytetar përballë Kryeministrisë, vetëm policët dhe media në gatishmëri

Pasditen e kësaj të hëne ishte paralajmëruar një protestë për të ngritur zërin kundër rritjes së çmimit të naftës në vend. Megjithatë, rreth një orë pas orarit zyrtar të parashikuar për nisjen e saj, përpara ambienteve të Kryeministrisë nuk vihet re pjesëmarrje e gjerë qytetare.

Në vendin ku dhe ishte njoftuar për tu mbajtur protesta, para ambienteve të Kryeministrisë, shihen vetëm disa qytetarë, kryesisht aktivistët e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, si dhe automjetet e transmetimit të mediave dhe efektivët e policisë, të cilë janë në krye të detyrës për të ndjekur zhvillimet.

Kjo protestë vjen në një kohë kur gjatë ditëve të fundit çmimi i naftës në vendin tonë ka arritur deri në 220 lekë për litër, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe tek qytetarët. Rritja e çmimeve ka sjellë gjithashtu reagim edhe nga ana e qeverisë, e cila ka vendosur të rikthejë Bordin e Transparencës për karburantet.

Kujtojmë se shoqëria civile kishte bërë thirrje për protestë ditën e sotme përpara Kryeministrisë së Shqipërisë, në orën 17:00, përmes njoftimeve të shpërndara në rrjetet sociale. Organizatorët u bënë apel qytetarëve që të merrnin pjesë masivisht, me qëllim kundërshtimin e çmimeve të larta dhe kërkesën për uljen e tyre.


Shtuar 23.03.2026 18:14