Kapte vlerën 200 mijë euro, turistët gjermanë shkatërrojnë statujën 150-vjeçare në Itali (FOTO)

Një rast tjetër vandalizmi i një vepre arti nga turistët, këtë herë në Itali, ku influencuesit gjermanë, të gjithë meshkuj të moshës 25-30 vjeç, akuzohen se kanë shkatërruar një statujë me vlerë në një vilë që kishin marrë me qira.

Dy turistë janë ngjitur në një shatërvan, duke u përpjekur të pozojnë duke u përqafuar me “Domina”, siç quhet statuja e krijuar nga skulptori Enrico Butti 150 vjet më parë. Një i tretë po e shtynte statujën me një levë, ndërsa të tjerët po kapnin skenën për të postuar pamje në platformat e mediave sociale.

Statuja u lëkund nga piedestali i saj dhe përfundimisht ra në tokë, duke u copëtuar, tha Bruno Golferini, menaxher i Villa Alceo në qytetin e Viggio, pranë Varese në veri të Italisë.

Golferini tha se raportoi vandalizmin, i cili ndodhi të hënën dhe u kap nga kamerat e sigurisë, në polici, duke fajësuar grupin prej 17 turistësh gjermanë që kishin marrë me qira vilën. Turistët janë kthyer në vendlindje.

Vlera e statujës vlerësohet në rreth 200,000 euro, sipas Golferinit, i cili vuri në dukje se restaurimi i saj është jashtëzakonisht i vështirë.

“Domina ishte një lloj mbrojtëse e vilës. Fatkeqësisht, ka disa injorantë që bëjnë gjëra të tilla”, tha ai.

Reagime të zemëruara u shkaktuan në Itali në qershor nga një turist që gdhendi emrat e tij dhe të partneres në një mur të Koloseut. “Ivan + Hayley ’23” ishte mesazhi i gdhendur nga turisti bullgar, banues në Bristol, Britani e Madhe, i cili u gjobit me 15 mijë euro për vandalizimin e monumentit ikonë të Romës.


Shtuar 3.08.2023 20:39