Shqiptari i kërkuar nga Antimafia e Barit zbulohet i fshehur në Belgjikë dhe arrestohet për llogari të Italisë. Operacioni është kryer më shumë se një javë më parë, por është njoftuar sot në mediat e vendit fqinj, pikërisht në ditën e dorëzimit të tij me proces deportimi nga Arlon në Belgjikë, te agjentët e FAST Italia.
Shqiptari ishte i kërkuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “URA”, teksa u është dorëzuar autoriteteve italiane ditën e sotme në aeroport.
Ai është pjesë e listës me 52 emra të arrestuarisht, të kërkuarish dhe akuzuarish të Antimafias së Barit, për 4 organizatat kriminale që përbënin një kartel të fuqishëm droge, ku tre ishin italiane dhe një shqiptare.
Arrestime u bënë edhe nga SPAK-u, në bashkëpunim me autoritetet italiane në Shqipëri, teksa u zbardhën detaje për aktivitetin kriminal të trafikimit të tonelatave me kokainë nga Amerika Latine, si Kili dhe Ekuadori, blerjen e tyre deri edhe me kriptomonedha, dërgimin e fitimeve me anë të autobusëve nga Italia në Shqipëri dhe investimin në biznese.
“Operacioni, i koordinuar nga DIA e Barit në sinergji me autoritetet shqiptare, është pjesë e një hetimi më të gjerë që ka çuar tashmë në lëshimin e 52 urdhrave të paraburgimit paraprak të lëshuar nga GIP i Barit me kërkesë të Drejtorisë lokale të Antimafias së Qarkut (një hetim i kryer në fazën e hetimit paraprak i cili kërkon verifikim procedural të mëvonshëm në marrjen në pyetje me mbrojtjen)”, raporton media e vendit fqinj, kurse emri i të ndaluarit nuk u bë i ditur.
Në aksionin e kapjes së shqiptarit në Belgjikë, bëhet me dije se morën pjesë edhe agjentë nga Luksemburgu.
Aktiviteti hetimor transnacional, që synonte gjetjen dhe kapjen e të riut, i lejoi Ekipit FAST të Luksemburgut të kryente një aktivitet ndjekjeje deri në kufirin me Belgjikën, ku shqiptari i kërkuar u gjurmua mbrëmjen e 20 majit.
Në Shqipëri u kryen të paktën 9 arrestime, për të cilët GJKKO ka dhënë edhe masat e sigurisë me burg, teksa SPAK dhe Antimafia e Barit dolën në një konferencë për shtyp.
Organizata sipas përgjimeve dhe zbërthimit të platformës së koduar Sky ECC, drejtohej në Shqipëri ku kishte bazën në Durrës nga ‘grupi i Troplinëve’, teksa kokat e tij akuzohen Adi Çoba, Elvis Doçi dhe të tjerë.
Në organizatën shqiptare akuzohen të përfshirë edhe dy oficerë policie, njëri prej të cilëve Altin Morina, i arrestuar më parë.
SPAK zbërtheu komunikimet mes anëtarëve të grupit, përfshi edhe policët, në ndërmjetësimin, blerjen, transportimin, shitjen dhe zgjidhjen e problemeve të trafikimit.