Kapet 35 vjeçari në Kakavijë, po transportonte 6 emigrantë të paligjshëm

Policia kufitare e Kakavijës ka arrestuar një 35- vjeçar pasi u kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, kundrejt parave.

Ndërkohë është shpallur në kërkim një 28-vjeçar i cili dyshohet si bashkëpunëtori i autorit duke e ndihmuar që ti transportonte emigrantët drejt Tiranës.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX-it dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin B. K., 35 vjeç, banues në Gjirokastër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi S. B., 28 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër”- njofton policia.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në aksin rrugor Sofratikë-Libohovë, po transportonin me automjetin tip “Audi A3”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person. Sipas informacionit, policia ka sekuestruar një një automjet dhe një aparat celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.


Shtuar 5.05.2021 12:12