Kaosi te Kadastra, a janë bankat dhe pronat e shqiptarëve të sigurta? Si u bllokua tenderi i BE-së dhe roli i dyshimtë i AKSHI-t

Në shtator të vitit të kaluar, Bashkimi Europian përmbylli një tender 1.85 milionë euro për ngritjen e sistemit të integruar të informacioni kadastral dhe të tokës në Shqipëri (referuar si ACLIS).

Kontrata, e cila është pjesë e një program për ngritjen e sistemit të ri elektronik të Kadastrës dhe dixhitalizimit total të pronave, u fitua nga një bashkim prej dy kompanish, sllovenja Synergise dhe shqiptarja Datech.

Por sapo kompanitë do të nisnin punën, qeveria shqiptare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës njoftuan Bashkimin Europian për anullimin e saj sepse do t’i bënin tenderat vet.

““Autoritetet shqiptare njoftuan BE-në për zhvillimin e mëtejshëm paralelisht të sistemit ekzistues të IT-së dhe nisën një tender të ri për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e tij. Si rezultat, aktivitetet në kuadër të projektit/kontratës ACLIS janë ndalur derisa të arrihet një zgjidhjeje përmes një marrëveshjeje të ndërsjellë mes Shqipërisë dhe BE-së,” konfirmoi zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë për Oligarkia.al.

Në dyshim gjithë projekti

Kontrata 1.85 milionë euro që Bashkimi Europian akordoi për kompanitë Synergise dhe Datech ishte vetëm e para prej disa të tillave. Ato janë pjesë e një projekti me vlerë totale 15.7 milionë euro të financuar me grant nga Bashkimi Europian.

Ky sistem parashikon ngritjen e sistemit të ri elektronik të Kadastrës dhe dixhitalizmin e plotë të hartës kadastrale, regjistrit të pronave dhe çdo transaksioni në tregun e pasurive të patundshme në Shqipëri. Tashmë i gjithë ky projekt me vlerë 15.7 milionë euro është në dyshim.

“Aktualisht, diskutimet me qeverinë shqiptare janë ende në vazhdim. Në fillim të javës së ardhshme presim të marrim një përgjigje/kërkesë zyrtare nga qeveria shqiptare. Ju rekomandojmë që kërkesën tuaj t’ia drejtoni autoriteteve përkatëse shqiptare për ndihmë të mëtejshme,” u përgjigj delegacioni i BE për Oligarkia.al.

Portali pyeti Agjencinë Shtetërore të Kadastrës se pse vendosi që të ndalë kontratën e BE-së për ngritjen e sistemit të ri elektronik të pronave dhe të procedonte me tender paralel për zhvillimin e sistemit ekzistues për të cilin BE thotë se është problematik dhe me teknologji të vjetëruar. Por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk mori një përgjigje.

Faktori AKSHI

Mënjeherë sapo autoritetet shqiptare njoftuan Bashkimin Europian për bllokimin e projektit të pronave, në 26 qershor Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpalli papritmas një tender me vlerë 4.4 milionë euro për përmirësimin e sistemit ekzistues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Vetëm tre ditë pas shpalljes së tenderit, kryeministri, shefja e AKSHI-t dhe shefja e re e Kadastrës dolën një aktivitet të përbashkët publik për të parandaluar ndryshime rrënjësore në Kadastër.

“Ditën e hënë, datë 3 korrik Kadastra nuk është më e aksesueshme. Nga e hëna askush nga ju nuk do të bëjë asgjë. Askush brenda Kadastrës nuk do u përgjigjet. Çdo gjë do të jetë online pa asnjë kontakt fizik,” iu drejtua Rama deputetëve dhe ministrave të PS.

Ndërsa shefja e AKSHI-t tha se tani do të dixhitalizohet i gjithë procesi. “Do kemi siguri për çdo veprim, për çdo ndryshim ku qytetarit do t’i shkojë njoftim për çdo ndryshim të bëre në pronën e tij,” tha Karçanaj.

Pikërisht dita e këtij aktiviteti është dhe dita kur sistemi dixhital i Kadastrës hyri në kolaps. Që prej 3 korrikut sistemi i Kadastrës thuajse nuk punon më dhe qytetarët po përballen me zvarritje pafund me shërbimet që ofron Kadastra.

Të tre ngjarjet nuk janë të pa lidhura me njëra tjetrën. Anulimi i projektit të BE-së, hapja e tenderit nga AKSHI dhe kolapsi i Kadastrës janë shkak-pasojë të njëra tjetrës. Veprime, për të cilat shumë dyshojnë se përveç babëzisë për tendera, fshehin qëllime edhe më okulte se kaq. Ato që lidhen me sigurinë e pronës së shqiptarëve. Këto janë dyshim që duhet t’i qartësojë SPAK sepse dikush po fut duart tek Kadastra.

Ndërkohë, bankat po hasin probleme në lëshimin e kredive me kolateral, pasi mungesa e shërbimit nga Kadastra ua bën të pamundur përdorimin e pronave si kolateral përmes të cilave ofrojnë kreditë.


Shtuar 28.08.2023 12:32