Grupi Parlamentar i PS, në një shkresë drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla, kanë kërkuar masa disiplinore për 3 deputetë të opozitës, Ervin Salianji, Petrit Doda dhe Edmond Spaho.
Në shkresë thuhet se; Në nisje të seancës, deputeti Ervin Salianji, zaptoi foltoren, duke penguar zhvillimin normal të punimeve plenare, si dhe i ndihmuar nga deputetët Petrit Doda dhe Edmond Spaho ndezi disa flakadanë në sallën e seancave.
Shkresa e Grupit të PS:
Lënda: Kërkesë për marrjen e masës disiplinore
Drejtuar: Znj. Lindita NIKOLLA KRYETARE E KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Baza Ligjore: Neni 63, pika 1 germa d), dhe neni 65/1 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Neni 3, gërma dh) dhe e), neni 8, pika 2 gërma b) dhe neni 33 i Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,
Në seancën e datës 02.11.2023, deputetët e opozitës për të disatën herë, në thyerje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, penguan zhvillimin e rregullt të punimeve plenare, duke larguar nga vendet karriget e deputetëve të mazhorancës dhe vendosur si barrikadë përpara foltores duke e bllokuar si dhe duke përdorur lëndë piroteknike (flakadanë) në sallën e Parlamentit.
Në nisje të seancës, deputeti Ervin Salianji, zaptoi foltoren, duke penguar zhvillimin normal të punimeve plenare, si dhe i ndihmuar nga deputetët Petrit Doda dhe Edmond Spaho ndezi disa flakadanë në sallën e seancave.
Teksa një punonjës i Gardës së Republikës tentoi t’i largojë flakadanin, z.Salianji hodhi një karrige në drejtim të tij. Këto veprime vazhduan gjatë gjithë seancës plenare duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të saj.
Sa më sipër, bazuar në nenin 63, pika 1 gërma d), dhe nenin 65/1 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 3, gërma dh) dhe ë), nenin 8, pika 2 gërma b) dhe nenin 33 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:
– Marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Ervin Salianji, Petrit Doda, Edmond Spaho.
– Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore.