Vonesat me ndërtimin e urës që do të lidhë aksin nga Kalimashi në Kukës dhe nga Kukësi për në Morinë ka shkaktuar kaos në Rrugën e Kombit duke sjellë një radhë makinash deri në 11 kilometra.
Radha është shkaktuar në drejtimin Kosovë-Shqipëri ku makinat pasi futen normalisht në Morinë, shkojnë drejt Kukësit ku edhe bllokohen pasi mungon ura.
Kjo e fundit duhej të kishte mbaruar që vitin e kaluar por për arsye që nuk bëhen të ditura as nga Ministria e Infrastrukturës dhe as nga koncensionari, nuk përfundohet dhe punimet shtyhen duke shkaktuar situatën në fjalë.
Sipas kontratës koncenesionare, kompania kishte detyrimin e përfundimit të urës mbi Brenda 5 viteve të para të koncensionit, por ajo nuk ka përfunduar duke shkelur çdo afat ligjor.
Megjitatë, shteti shqiptar vijon të “falë” koncensionarin duke mos i kërkuar llogari për asgjë edhe pse pagesat janë bërë rregullisht prej buxhetit të shtetit në arkën e Albania Highway Concession.
Gjithçka ndodh teksa të gjitha ata që janë të detyruar të presin për orë të tëra për shkak të mugesës së urës, vetëm 5 kilometra më tej duhet të paguajnë tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit, e cila kushton 5 euro, por me kursin e këmbimit të aplikuar nga koncensionari, nëse paguan në Lekë, kushton 660 lekë! /albeu.com