*Fotoja shoqëruese e shkrimit është gjeneruar me AI
Nga Emirjon Senja
Inteligjenca artificiale po bëhet pjesë integrale e punës së përditshme të redaksive të lajmeve si edhe përdoruesve individualë, me qëllim krijimin e përmbajtjes, analizimin e saj si edhe shpërndarjen automatike apo gjysmë-automatike.
Edhe pse ka pak vite në përdorim masiv, përparimet e shumta dhe kapaciteti i lartë në përpunimin dhe prodhimin e informacionit e kanë bërë AI-në mjaft efikase në këtë drejtim. Por, sigurisht, kjo lehtësi e madhe nuk mund të vinte pa problematikat e saj.
Vazhdimisht kemi folur për nevojën e verifikimit nga gazetarë dhe redaktorë profesionistë të përmbajtjeve të prodhuara nga AI para publikimit. Megjithatë, në këtë shkrim do të flasim për një rrezik disi më të sofistikuar sesa thjesht shpërndarja e informacionit të rremë me shpejtësi për shkak të kapaciteteve të mëdha të AI.
Bëhet fjalë për fenomenin e përsëritshmërisë së informacionit, ose, siç quhet ndryshe, “kanibalizimi i informacionit”, një cikël në të cilin sistemet e AI gjenerojnë përmbajtje bazuar në informacionin ekzistues, i cili më pas riciklohet përsëri në grupin e të dhënave nga i cili AI merr për të gjeneruar përmbajtje të ardhshme. Ky qark vetë-referues ngre shqetësime të mëdha mbi origjinalitetin dhe cilësinë e përmbajtjes së prodhuar.
Fenomeni pritet të bëhet edhe më shqetësues në periudhat në vijim, kur AI do të përdoret edhe më shumë nga mediat për gjenerimin e përmbajtjes.
Si funksionon “kanibalizmi i informacionit”
Koncepti i “kanibalizmit të informacionit” i referohet një procesi ku përmbajtja, kryesisht teksti, i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale përfundon duke u përdorur sërish nga sistemet e Inteligjencës Artificiale si pjesë e bazës së tyre të të dhënave për të krijuar përmbajtje të re.
Inteligjenca Artificiale, si ChatGPT, për shembull, funksionon kryesisht duke aksesuar dhe përpunuar të dhëna të shumta, të cilat janë publike dhe gjenden lehtësisht online për shkaqe të ndryshme, siç janë mënyra se si janë trajnuar algoritmet apo sepse disa të dhëna janë më të disponueshme se të tjera në motorët e kërkimit.
Duke përpunuar këto të dhëna, AI prodhon rezultatet e veta, si artikuj, përmbledhje, tabela, imazhe apo raporte të ndryshme. Këtu mbyllet cikli i parë i prodhimit, dhe kërkuesi i këtij informacioni, pasi ka bërë verifikimet dhe ndërhyrjet e veta, e publikon atë online, duke nisur ciklin e dytë. Këto të dhëna të publikuara online tashmë do të shërbejnë sërish si pjesë e bazës së informacionit që ChatGPT, për shembull, do të referojë për të prodhuar një përmbajtje të re të ngjashme.
Kjo çon në një qerthull riciklimi ku sistemet e AI gjenerojnë vazhdimisht përmbajtje të supozuar si të re bazuar në atë që është prodhuar tashmë nga AI. Kështu, përmbajtja e krijuar nga AI fillon të ushqehet me modelin e saj, pa kontribute të jashtme origjinale, siç do të ishte krijimtaria nga njeriu.
Një problematikë tjetër është shpërndarja e shpejtë dhe e lehtë e përmbajtjes së pavërtetë. Nëse një sistem AI gjeneron përmbajtje që përfshin informacione të pasakta, ai informacion do të përsëritet dhe do të përhapet më tej, pasi sistemet e tjera të AI do ta përdorin si pikë referimi.
Kanibalizmi i informacionit gjithashtu kontribuon në formimin e “dhomave të jehonës”, ku tashmë nuk janë vetëm njerëzit ata që lexojnë informacione që u përputhen me bindjet e tyre, por edhe vetë sistemet e AI, të cilat, duke u ushqyer nga e njëjta bazë të dhënash, përforcojnë paragjykime të caktuara.
Gazetarët sjellin kreativitetin, mendimin kritik dhe emocionet – elementë që sistemet e AI nuk mund të riprodhojnë. Rrjedhimisht, promovimi i origjinalitetit dhe përdorimi i AI si mjet mbështetës, dhe jo zëvendësues i gazetarit, do të jetë sfida kryesore e medias shqiptare në vitet në vijim. /albeu.com
Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.