Kanabis, heroinë dhe municione luftarake, 3 të arrestuar në Berat, mes tyre punonjësi i Drejtorisë së Sigurimeve

Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.

Policia e Beratit ka goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike dhe ka vënë në pranga tre persona, mes tyre një grua.

Të arrestuarit janë Eldik Maliqi, 30 vjeç dhe Armand Hoxhallari, 39 vjeç, të dy banues Berat dhe Valbona Dalipi, 37 vjeçe, banuese në fshatin Lapardha, Berat.

Malqi rezulton punonjës i Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore Berat.

“Shërbimet e Policisë Rrugore, kanë ndaluar në qytetin e Dimalit, automjetin me drejtues shtetasin E. M. dhe pasagjerë 2 shtetasit e tjerë. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur 519 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe municion luftarak, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike heroinë, të ndarë në doza të gatshme për shitje, që u gjet gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve.”

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme./albeu.com 


Shtuar 30.10.2023 12:16