Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas zhvillimit të stërvitjeve ushtarake serbe në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si çështje me ndikim në sigurinë rajonale.
Sipas tij, aktivitete të tilla, sidomos kur zhvillohen pranë zonave të banuara dhe përfshijnë kapacitete ajrore, ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e sigurisë te qytetarët lokalë, në veçanti te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Në kontekstin e sigurisë rajonale, këto zhvillime mund të interpretohen si faktorë që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe në uljen e besimit ndërmjet aktorëve lokalë. Duke marrë parasysh rëndësinë e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, mbetet thelbësore që të veprohet me përmbajtje dhe në përputhje me parimet e sigurisë bashkëpunuese”, ka theksuar Kamberi.
Ai ka shtuar se roli i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për të inkurajuar dialogun konstruktiv, transparencën dhe shmangien e veprimeve që mund të perceptohen si provokuese.
Në reagimin e tij, Kamberi ka kërkuar edhe rritjen e pranisë së KFOR, duke e cilësuar atë si të domosdoshme për ruajtjen e një mjedisi të qëndrueshëm të sigurisë.
“Ruajtja e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë kërkon angazhim të vazhdueshëm për respektim të normave ndërkombëtare dhe forcim të mekanizmave për parandalimin e krizave. Shtuarja e forcave të KFOR-it është e rëndësisë primare”, ka deklaruar ai.
Më tej, ai ka kritikuar politikat e Beogradit, duke i cilësuar si provokuese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërsa ka kërkuar nga NATO që të shqyrtojë mundësinë e rishikimit të vendimit për Zonën Tokësore të Sigurisë.
