Mësuesja e kamarierit 18-vjeçar që u dhunua nga oficeri i policië në Vlorë ka reaguar pas ngjarjes tronditëse.
Mësuesja Vali Veshaj ka thënë se 18-vjeçari ishte nxënës i shkëlqyer dhe se punonte për të siguruar shpenzimet e maturës.
Arsimtarja ka bërë një apel të drejtpërdrejtë, nëpërmjet mediave, ndaj institucioneve shtetërore, duke theksuar se dhuna ndaj një të riu që përpiqet ndershmërisht të ndërtojë të ardhmen është e papranueshme.
“Djali është nxënësi që sapo ka mbaruar klasën e njëmbëdhjetë dhe është me dhjeta.
Është me një sjellje model dhe ka pjekurinë dhe kulturën që i mungon personit përballë.
Është djalë i mrekullueshëm dhe po punon për shpenzimet e maturës.
Unë që po ju shkruaj jam mësuesja kujdestare e tij. Shteti të marrë masa se kjo është rinia e cila nuk e gjen veten askund,” ka thënë mësuesja.
Një episod dhune i paprecedentë është regjistruar në ambientet e një hoteli në Vlorë. Një kamarier, 18-vjeç është dhunuar nga një efektiv policie jashtë shërbimit dhe një person tjetër që rezulton me të kaluar kriminale.
Oficeri Ardian Isufi dhe Leart Bino kanë nisur t’i kërkojnë llogari kamarierit, pse kishte sjellë në tavolinën e një shishe uji më tepër se sa ishte porositur.
Isufi, ish-shefi i qarkullimit në Vlorë, është i pari që e prek kamarierin, ndërsa Bino, një person me precedentë penalë, ka nisur më pas ta godasë disa herë.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe Policia e Shteti, ku është njoftuar se Ardian Isufi është pezulluar nga detyra si oficer i Policisë Kufitare në Dibër.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit, thuhet se Isufi, teksa ishte jashtë shërbimit kur u përfshi një episodin e dhunës në një lokal në lagjen “Pavarësia 2” në Vlorë.
Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe një 53-vjeçar, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe një person tjetër. Aktualisht, Isufi ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.