Gjatë një interviste në A2 CNN, Pandeli Majko, ka folur për mungesën e debateve në Partinë Socialiste.
Ai tha se gazetarët dhe analistët, kërkojnë debate dhe përplasje si ato që çuan në ndarjen e Ilir Metës dhe grupit të tij nga PS në vitin 2005, por që sipas Majkos, për të tilla situata kanë reflektuar pasi pësuan humbje në dy palë zgjedhje.
“Sa më shumë kalojnë vitet e një drejtuesit në një post drejtues, aq më tepër ka një konformizëm. Ju mendoni që aty nuk bëhet asnjë lloj debati. S’është e vërtetë. Aty bëhet debat. Në kushtet ku jemi në pushtet ju doni që të bëhet debat si ai që keni parë në atë KPD e famshme.
Ju mendoni se unë e kam ndonjë mburrje të madhe atë debatin që është bërë në KPD. Ne farën e atij debati e korrëm në 2005, humbëm zgjedhjet. Në atë moment njerëzit humbën besimin se ne ishim njerëz serioz në mënyrën e trajtimit të brendshëm të fateve të tyre”, tha Majko.