Zbardhen detaje të reja nga hetimet lidhur me vdekjen e Romario Brungës, i cili u gjet i pajetë mbrëmjen e djeshme në automjetin e tij në Balldren. Burime bëjnë me dije se 25-vjeçari kishte marrë një plumb në ballë dhe po ashtu kishte dëmtim në dorë. Burime nga policia theksojnë se plumbi ishte në një pozicion që nuk mund të kishte shtënë pasagjeri.
Nga disa kamera sigurie, është parë që para ngjarjes ai ka qenë vetëm, dhe po ashtu gjetja e pistoletës në makinë ka shtuar dyshimet e policisë se mund të jetë vetëvrasje. Gjithashtu, familjarët nuk kanë deklaruar se i riu ka pasur ndonjë problem apo ka shfaqur shenja depresioni. Romario Brunga punonte si kamarier në zonën e Balldrenit.
Dyshimet për vetëvrasjen e tij janë shtuar pas hetimeve mbi komunikimet e fundit të 25-vjeçarit. Sipas hetimeve, personi i fundit që ka komunikuar me të ka qenë shoku i ngushtë. Brunga i ka telefonuar atij dhe i ka shprehur: “Kam një hall shumë të madh”. Më pas, pasi ka mbyllur telefonin, shoku i tij e ka provuar të telefonojë disa herë, por nuk ka marrë përgjigje.
Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, kur ka dalë nga puna dhe deri në vendin ku dyshohet se ka vrarë veten, 25-vjeçari ka qenë gjithmonë duke folur në telefon dhe vetëm. Këto detaje kanë forcuar dyshimet e policisë së Lezhës për një mundësi vetëvrasje.
Sipas personave të afërt, Romario Brunga kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja dhe nuk ka shfaqur shenja depresioni.