Anija me 237 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit është përfshirë në flakë në orën 4.30 të mëngjesit. Pasi ka rënë alarmi në anije ka nisur evakuimi i pasagjerëve.
Nga zjarri u përfshi trageti “Euroferry Olympia” që udhëtonte drejt Italisë, teksa lundronte në afërsi të Korfuzit.
Deri tani janë zbarkuar 242 persona të cilët pritet të transferohen në Korfuz.
Sipas informacioneve, kapiteni i anijes bëri me dije se të gjithë pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë mbledhur nga anijet lundruese, mjete lundruese të portit dhe rojet bregdetare italiane.
Vetëm një pasagjer ka probleme të frymëmarrjen. Sipas ERT, zjarri ka nisur nga kuverta e 3-të, ku ishin parkuar kamionët.
Një banor i Korfuzit, ka përshkruar se tymi i zi ka mbuluar një zonë të madhe të Shqipërisë dhe Korfuzit, megjithatë flakët nuk duken më dhe konstaton se zjarri është shuar.
Deri më tani bëhet me dije se 11 persona rezultojnë të zhdukur pas zjarrit që ra mëngjesin e sotëm në tragetin e pasagjerëve.
Ndërkohë që orët e fundit, pesë nga pasagjerët e zhdukur janë gjetur të gjallë. Në të njëjtën kohë, pas një operacioni të gjerë, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin nga një garazh një bullgar dhe një turk, të cilët mbetën të bllokuar nga flakët.
Informacionet e para vijnë pas numërimit paraprak të personave që kanë dalë në breg, 279 në total nga 290 që ndodheshin në bord bashkë me ekuipazhin.
Të mbijetuarit e anijes që u përfshi nga flakët ndodhen aktualisht në tre mjete lundruese dhe kanë mbërritur në Korfuz. Aty roja bregdetare ka evidentuar 4 pika ku do të bëhej identifikimi i tyre për të pasur një raport më të saktë të të zhdukurve.
Më herët pasagjerët kanë pasur komunikime me disa televizione të ndryshme ku kanë shprehur frikën se jo të gjithë mund të kenë shpëtuar pasi kishte disa drejtues mjetesh që gjatë rrugës kanë qëndruar në kamionët e tyre në garazhe.
“Kam frikë për shokun tim Nikos, e kërkoj kudo, nuk e kam gjetur deri tani. Ai e kishte vënë makinën e tij përballë times në momentin e hipjes. Kishim biseduar, me profesion ishte edhe shofer dhe më kishte thënë se do të flinte në makinë. Nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur, shpresoj të gjendet dhe të mos ketë ndodhur asgjë e keqe. Tani po mbërrijmë në Korfuz. Të gjithë janë në agoni”, shprehet një pasagjer.
Si nisi zjarri?
Flakët kanë shpërthyer pak pas nisjes së anijes nga porti i Igumenicës në orët e para të së premtes në Ereikousa. Alarmi ka rënë në orën 04:30 të mëngjesit dhe menjëherë ka nisur procesi i evakuimit. Pasagjerët janë larguar nga anija me varka shpëtimi. Për fat të mirë moti ishte i mirë dhe operacioni i shpëtimit ka shkuar pa probleme.
Në operacionin që po drejtohej nga pala greke janë angazhuar edhe anijet e Forcës sonë Detare, Butrinti dhe ajo patrulluese R-117, njoftoi ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
“Dy anijet të Forcës Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen zjarrit në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë të përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në det.
Fillimisht zjarri ka rënë jashtë ujërave tona territorial, por tashmë operacioni po kryhet në ujërat tona territorial, 5 milje larg Porto Palermos.
Në operacionin që po drejtohet nga pala greke janë angazhuar edhe anijet e Forcës sonë Detare, Butrinti dhe ajo patrulluese R-117.
Më herët pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit janë evakuuar nga anija”, shkruan Peleshi./albeu.com/