Kabineti i ri “Rama 4”/ Kryeministri shkarkon 8 ministra, shkrihet dikasteri i Bora Muzhaqit, Ulsi Manjës dhe Ervin Hoxhës i “hiqen gradat”, Mazniku mbetet pa post

Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga kabineti i vjetër i qeverisë 8 ministra, duke i zëvendësuar këta të fundit me emra të rinj.

 

 

Igli Hasani, është largimi i parë nga qeveria Rama, ministri i jashtëm u zëvendësua nga Elisa Spiropali.

Ervin Hoxha, po ashtu u shkarkua nga Ministria e Brendshme për t’u zëvendësuar nga Albana Koçiu.

Ulsi Manja, gjithashtu u largua nga posti i ministrit të Drejtësisë, duke u zëvëndësuar nga zv.ministri i Brendshëm, Besfort Ramallari.

Ogerta Manastirliu, u largua nga kabineti qeveritar, por asaj iu besua gara për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.

Anila Denaj, u largua nga qeveria Rama 4. Ministria e Bujqësisë që u drejtua nga Anila Denaj, iu besua një socialisti të ri, i cili është kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Andis Salla.

Ndërkohë që Taulant Balla u largua nga ministria për Marrëdhënien me Parlamentit, duke u zëvendësuar nga Toni Gogu.

Po ashtu dhe Arbian Mazniku, nuk do të jetë më pjesë e kabinetit Rama 4, por atij do t’i jepet vetëm një komision për Reformën Territoriale.

Ndërkohë që një tjetër emër që u soll me bujë në qeverinë e “Rama 3” , Bora Muzhaqi, ka mbetur jashtë kabinetit qeveritar.

Ministria e saj për Rininë dhe Fëmijët është shkrirë totalisht, madje edhe nga Rama nuk u përmend fare gjatë Asamblesë së PS-së.

Po ashtu, rikthehet sërish Ministria e Mjedisit, e cila u shkri qëkur drejtohej nga Lefter Koka. Ky dikaster do të drejtohet nga Sofjan Jaupaj.