Migrena është sëmundja e gjashtë më e përhapur në botë, shpeshherë më e nënvlerësuara. 40% e atyre që vuajnë nga dhimbjet e Migrenës nuk marrin një diagnozë të saktë. Më së shumti problematika e tyre justifikohet me fjalinë “dhimbje koke”.
Specialistët po kërkojnë krijimin e Dhomave të Lehtësimit të Migrenës në vendet e punës. Një dhomë e vogël ku tonaliteti i bojës së murit është i lehtë. Ku mbizotërron errësira. Ku ka një shtrat, jastëk për t`u qetësuar.
Po çfarë është konkretisht kjo sëmundje e nënvlerësuar?
Bëhet fjalë për një sëmundje neurologjike e karakterizuar nga episode të përsëritura të dhimbjes së kokës me një intensitet që varion nga mesatarja, në të rëndë. Simptomat përfshijnë dhimbje, zakonisht pulsuese, por edhe të përziera, të vjella, mbindjeshmëri ndaj dritës, tingujve dhe erërave.
Migrena manifestohet në katër faza të veçanta:
Prodrome, ose sinjalet që na ‘paralajmërojnë’ për migrenën që afrohet: si për shembull dëshira për ëmbëlsira, ndryshimet e humorit, ndjenja e etjes dhe ngurtësisë në qafë.
Aura, çrregullime neurologjike tipike vizuale: drita të ndezura, linja zigzag ose një humbje e përkohshme e shikimit.
Faza e dhimbjes së kokës: ky është sulmi konkret i migrenës, i cili mund të zgjasë nga 4 deri në 72 orë.
Postdromo: faza përfundimtare në të cilën disa njerëz përjetojnë simptoma të ngjashme me një hangover, me përqendrim të dobët dhe mjegullim mendor.
Migrena prek 1 në 10 njerëz në të gjithë botën, dhe 90% e tyre thonë se nuk janë në gjendje të punojnë ose të kryejnë aktivitete të përditshme normale gjatë momentit të krizës. 51% e pacientëve përjetojnë një ulje me 50% të produktivitetit në shkollë ose në punë, duke humbur 10% të ditëve të punës për shkak të krizave të dhimbjes së kokës.
Por migrena është gjithashtu një sëmundje e bazuar në gjini. Nga Migrena vuajnë gati dyfish më shumë gratë.