Nga Lutfi Dervishi
Ka edhe më keq…
Mund të kesh përballë një mijë e një probleme, mund të kenë rënë mbi kurriz të gjitha hallet e botës, mund të të jenë bërë padrejtësitë më të mëdha, por ama gjithmonë kujtohu: Ka edhe më keq.
Ja për shembull: Mund të jesh me dy diploma, me kurse të panumërta kualifikimi, por nuk ka punë për ty. Ti mos harro: Ka edhe më keq.
Jetojmë në një botë kur robotët po marrin përsipër të bëjnë punët që bën njeriu, të paktën ti ke ende shpresë se mund të gjesh punë në profesionin tënd, nëse jo në Shqipëri, ja ku është… Gjermania!
Nuk ke ujë të pijshëm në shtëpi. Mos u dëshpëro, ka edhe më keq. Ka njerëz që jetojnë në shkretëtirë ku nuk ka ujë fare. Ka nga ata që detyrohen të pijnë ujë pusi apo kanali.
Pastaj, kur harrove kaq shpejt si kanë jetuar të parët tanë para vetëm 100 vitesh?
Je mërzitur nga trafiku pasi shpenzon orë të çmuar dhe karburant të shtrenjtë? Mos e çaj kokën, ka edhe më keq. Shumë njerëz ecin në këmbë tek ti ke fatin të vozisësh veturën tënde.
Të paktën ti je ulur në makinë, ke ajër të kondicinuar dhe mund të dëgjosh edhe lajmin se si po punohet natë e ditë, për të zgjidhur problemin e trafikut.
Nuk ka parqe për fëmijë? Ka edhe më keq! Mos harro, fëmijët rriten shpejt dhe bëhen më të zotë kur vuajnë pak. Një shkrimtar i madh thotë që për t’u bërë gjeni uroj të keni pasur një fëmijëri mizerable.
Je i frikësuar nga çmimet e larta të ushqimeve dhe rroga e ulët. Ka edhe më keq. Mendo pak se ka milionë njerëz në botë që nuk kanë bukë për të ngrënë. Të paktën këtu nuk vdes njeri për bukë. Pak të duket kjo?
Të habisin përmasat e skandaleve? Durim! Jepi vetes një apo 2 javë të tjerë dhe do të bindesh që ka edhe më keq…
Je një nga 695 mijë pensionistët dhe ankohesh se nuk të del pensioni? Ka edhe më keq. Madje shumë më keq. Mendo shokët dhe shoqet e tu që nuk jetojnë më dhe as i hanë ato të shkreta para. Të paktën je gjallë dhe në mos stomakun, syrin e ke plot.
Je mërzitur se shqiptarët po ikin nga Shqipëria? Ka edhe më keq. Kujto që në Ukrainë ka luftë.
Nuk të pëlqeu Nano, ka edhe më keq, nuk të pëlqeu Berisha, ka edhe më keq, nuk të pëlqeu Meta, ka edhe më keq, nuk të pëlqeu Rama, ka edhe më keq…
Nuk është problemi se mungon e mira, por duket se nuk na ngop dot e keqja.
Mos harro! E keqja nuk ka fund…
P.s; Nuk të pëlqen ky shënim? Mos u mërzit, ka edhe më keq…