Nga Rajan Menon “New York Times”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, narrativa e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë ka qenë se Rusia, një shtet grabitqar, është e prirur t’i dominojë fqinjët e saj, duke përbërë një kërcënim të madh ushtarak për të gjithë Evropën.
Vendimet e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s, e përforcojnë këtë qasje dhe duket se aleanca e pranoi atë edhe gjatë samitit të saj këtë javë në Vilnius të Lituanisë.
Në Perëndimi i mbizotëroi konsensusit se Putin e kishte transformuar ushtrinë ruse në një makineri të frikshme luftarake, një vlerësim i ilustruar nga një titull i revistës “The Economist” në fund të vitit 2020 “Shkëlqimi verbues i Forcave Ushtarake Ruse pas një dekade reformash”.
Në fakt, performanca e ushtrisë ruse në Ukrainë ka qenë gjithçka tjetër veçse jo e shkëlqyer. Pavarësisht shpenzimit të 650 miliardë dollarëve për modernizimin e ushtrisë që nisi në vitin 2010, ajo ka pësuar humbje shumë të mëdha në pajisje, dhjetëra mijëra viktima dhe dështime të vazhdueshme logjistike.
E megjithatë Evropa po vepron sikur nuk e ka aftësinë për të shmangur një sulm rus, duke vazhduar që t’i drejtohet Shteteve të Bashkuara për mbështetje ushtarake. Në samitin e Vilniusit, aleatët e Uashingtonit u zotuan, siç bënë gati një dekadë më parë, të shtojnë shpenzimet e tyre ushtarake.
Por mes tyre ka dallime nëse kjo shifër duhet të shërbejë si tavan apo dysheme. Është e vërtetë që rekordi i vendeve evropiane në përmbushjen e udhëzimeve të NATO-s të vitit 2014 – 2 për qind e PBB-së shpenzime vjetore ushtarake dhe 20 për qind e buxhetit ushtarak për pajisje të reja, kërkime dhe zhvillim – ka qenë i dobët.
Gjatë viteve 2016-2022, vetëm 4 deri në 10 vende të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e arritën objektivin e 2 përqindëshit. Ky dështim nuk e ka burimin tek mungesa e burimeve financiare por tek vullneti politik. Një mungesë motivimi e rrënjosur tek varësia e saj prej dekadash nga Amerika.
Nga ana e tij Uashingtoni, e ka kultivuar atë mbështetje për të rritur të ardhurat e industrisë së tij të armëve dhe po aq e rëndësishme, për të përforcuar varësinë evropiane nga fuqia amerikane. Pretendimi se vendet evropiane të pasura dhe të përparuara teknologjikisht nuk mund të bashkojnë dot forcat për të pasur një fuqi ushtarake të mjaftueshme për të penguar ose mposhtur Rusinë, e dëmton shumë besueshmërinë.
Anëtarja e 31-të dhe më e re e NATO-s, Finlanda, dhe anëtarja e ardhshme Suedia, kanë ushtri të fuqishme, dhe ushtria e Ukrainës – që është më e mirë-pajisur, më e stërvitur dhe e kalitur në beteja sesa ishte para vitit 2022 – do t’i vinte me siguri në mbrojtje të Evropës në rastin e një sulmi rus.
Fuqia ushtarake amerikane do të jetë gjithashtu një shtesë e besueshme. Tek e fundit, realiteti është se evropianët kanë jo vetëm mjetet për të mbrojtur kontinentin e tyre, por edhe një nxitje shumë më të madhe për ta bërë këtë sesa Shtetet e Bashkuara.
Apelet për vetë-mjaftueshmërinë evropiane nuk janë të barabarta me mbrojtjen e shfuqizimit të NATO-s. Ka ardhur koha që Evropa të merret seriozisht me mbrojtjen e saj. Nuk ka dyshim se 16 muaj pas luftës, Rusia i ka shkaktuar dëme të mëdha Ukrainës.
Sipas Shkollës Ekonomike të Kievit, vetëm dëmet në infrastrukturë i kalojnë 138 miliardë dollarë (që nga janari i këtij viti), Sa i përket numrit të viktimave, sipas Kombeve të Bashkuara deri në mesin e qershorit, (ishin vrarë 9.083 civilë dhe plagosur 15.779).
Duke vizituar 3 herë Ukrainën e kohës së luftës, përfshirë vendet pranë frontit lindor dhe jugor të luftës, i kam parë me sytë e mirë shkatërrimet e mëdha. Fotografitë dhe reportazhet e medias nuk mund ta rrokin plotësisht panoramën. Por Rusia nuk ka qenë në gjendje që ta transformojë avantazhin e saj të madh në trupa dhe armë, në asgjë që t’i ngjajë fitores.
S’ka dyshim se vështirësitë e saj janë rritur për shkak të ndihmës ushtarake amerikane, prej më shumë se 46 miliardë dollarësh që ka marrë Ukraina, së bashku me mbështetjen shtesë nga NATO dhe vende të tjera. Por ushtria ukrainase e pengoi pushtimin e Kievit edhe para se armatimi amerikan të niste të mbërrinte në sasi të mëdha.
Armët perëndimore janë pjesë e arsyes së betejave të Rusisë, por po ashtu edhe morali i fortë dhe përgatitja në total me e mirë e ushtrisë ukrainase. Pjesa tjetër e Evropës, burimet e së cilës i tejkalojnë shumë ato të Ukrainës, ndodhet në një pozicion akoma më të fortë.
Krahasoni Evropën dhe Rusinë në çdo parametër që përdoret zakonisht për matjen e fuqisë, dhe Evropa rezulton të jetë jashtëzakonisht superiore. Shihni pak prodhimin e brendshëm bruto. Vitin e kaluar ai i Bashkimit Evropian ishte 16.6 trilionë dollarë, ndërsa ai i Rusisë 2.2 trilionë dollarë.
Kjo do të thotë se edhe pa Britaninë, Bashkimi Evropian ka një ekonomi më shumë se 7 herë më të madhe se ajo e Rusisë. Po teknologjia, një element tjetër jetik në luftën bashkëkohore? Këtu gjërat bëhen më të ndërlikuara, pasi asnjë statistikë e vetme nuk vlen për të bërë një krahasim të saktë.
Mendoni pak për elektronikën e nivelit të lartë, makinat luksoze apo çdo gjë që përfshin Inteligjencën Artificiale që keni përdorur apo parë kohët e fundit. Unë do të imagjinoja se shumë pak, nëse ka, janë me origjinë ruse. Këtë e vërtetojnë të dhënat e përziera të disa pajisjeve ruse të përdorura në fushat e betejës së Ukrainës.
Analizat e pajisjeve të shkatërruara apo të kapura nga ukrainasit zbuluan se të gjitha ato mbështeteshin në pjesë përbërëse të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Japoni ose Korenë e Jugut. Si është Evropa në raport me Rusisë kur flitet për numrin e armatimeve kryesore, si tanket, avionët luftarakë, luftanijet dhe artilerinë?
Rusia kryeson në disa kategori kryesore, por kryesisht jo në avantazhin numerik që do të kërkonte një forcë sulmuese – zakonisht 3 me 1, një rregull që është vërtetuar në shumë raste. Për më tepër Evropa zotëron mjetet ekonomike dhe teknologjike për të rritur prodhimin e armatimit.
Britania dhe vendet e Evropës kontinentale kanë industri armësh të klasit botëror, përfshirë gjigantë të tillë si BAE Systems në Britani, Thales dhe Safran në Francë, Leonardo në Itali dhe Rheinmetall në Gjermani. Realizimi i potencialit për një vetë-mjaftueshmëri më të madhe, do të kërkojë investime dhe një koordinim të konsiderueshëm në prodhimin evropian të armëve, për të shmangur përsëritjet dhe arritur një ndarje të punës që e maksimizon avantazhin krahasues.
Por këto janë detyra pothuajse të pamundura. Evropianët kanë qenë shumë të suksesshëm në veprimin kolektiv për të kapërcyer barrierat tradicionale të sovranitetit kombëtar. Për shembull përmendim arritje të tilla historike si miratimi i një monedhe të përbashkët nga 27 vendet e BE-së, krijimin e Bankës Qendrore Evropiane dhe Marrëveshjen e Shengenit, e cila hoqi kontrollet në kufijtë e brendshëm.
Ushtria ruse nuk është tigër letre. Por leksioni që duhet mësuar nga lufta në Ukrainë, është se evropianët janë plotësisht të aftë të marrin përsipër përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e tyre. Kjo është diçka që ata duhet ta bëjnë me interesin e tyre të plotë.
Ju pëlqen apo jo, fokusi i ushtrisë amerikane do të përqendrohet gjithnjë e më shumë në Azi-Paqësorin. Aleatët evropianë të Amerikës, kanë rënë dakord tashmë të luajnë një rol më të madh në sigurinë e Azi-Paqësorit për ta ndihmuar Uashingtonin të kundërshtojë fuqinë ushtarake në rritje të Pekinit.
Në vend të kësaj, ata duhet të fokusohen në mbrojtjen e kontinentit të tyre. Evropa duhet të heqë dorë nga diskutimet e vjetra me Shtetet e Bashkuara për një ndarje më të mirë të barrës dhe të merret seriozisht me zhvendosjen e barrës mbi supet e veta.
Shënim:Rajan Menon, drejtor i programit të strategjive të mbrojtjes në Institutin Saltzman të Studimeve të Luftës dhe Paqes të Universitetit të Kolumbias, Nju Jork.
/albeu.com