Ka ardhur koha për një plan C në Ukrainë

Nga Jamie Dettmer “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Nëntorin e vitit të kaluar, gjenerali amerikan Mark Milley, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë së SHBA-së, zemëroi Kievin por edhe disa zyrtarë të vijës së ashpër të administratës së presidentit Joe Biden, kur e krahasoi konfliktin në Ukrainë me Luftën e Parë Botërore dhe duke deklaruar se është arritur në një ngërç, pa asnjë përparim domethënës nga asnjëra prej palëve.

“Në Krishtlindjet e vitit 1914, kishte një luftë e cila nuk mund të fitohej më ushtarakisht”- tha Mielley”. Më vonë, duke folur në Klubin Ekonomik të Nju Jorkut, ai shtoi: “Kur ekziston një mundësi për të negociuar, kur mund të arrihet paqja, shfrytëzojeni atë. Kapeni momentin!”.

Një javë më vonë, ai përsëriti sugjerimin e tij se kishte ardhur koha për negociata. Kundërsulmet e suksesshme të Ukrainës rreth Kharkivit në verilindje dhe Khersonit në jug, nënkuptonin se Kievi mund të negocionte nga një pozicion i fortë. “Rusia është tani në tërheqje”- tha Milley.

Por ai gaboi në lidhje me Luftën e Parë Botërore. Lufta ishte e fitueshme ushtarakisht dhe këtë e bënë aleatët perëndimorë, kryesisht falë faktorëve ekonomikë dhe nivelit të tyre superior të zhvillimit, duke i dhënë mundësi të përdornin më shumë burime.

“Me sektorët e tyre shumë gjigantë në bujqësi, Fuqitë Qendrore nuk mund ta ruanin dot prodhimin bujqësor pasi mobilizimi i kohës së luftës, i zhvendosi burimet nga ky sektor. Zija e bukës që solli kjo gjë e dëmtoi zinxhirin e furnizimit”- vë në dukje historiani Stephen Broadberry.

Në fund fitorja u arrit, por me një kosto njerëzore të tmerrshme. Kur reshtën luftimet në nëntorin e vitit 1918, viktimat në total vlerësohet të ishin mbi 37 milionë të vrarë dhe të plagosur, në ushtarë dhe civilë, duke e bërë Luftën e Parë Botërore një nga konfliktet më vdekjeprurëse në historinë e njerëzimit.

Vështirë se një mbeti e paprekur ndonjë familje evropiane. Dhe tani po afrohet një nëntor tjetër, dhe shumë shpejt në Ukrainë do të nisin shirat e vjeshtës, duke e bërë edhe më të vështirë manovrën ushtarake. Ka shenja se nëse Ukraina nuk do të arrijë një përparim domethënës në frontin e saj jugor, do të shtohen thirrjet për negociata, teksa si në Evropë po ashtu edhe në SHBA po afron mbajtja e zgjedhjeve të rëndësishme, gjë që po e ndryshon dinamikën e brendshme politike të aleatëve.

Për momentin, të gjithë sytë janë përqendruar në Zaporizhzhia, aty ky së fundmi është raportuar një çarje për herë të parë e linjës së parë të mbrojtjes ruse të minuar rëndë rreth fshatit Robotyne. Ukrainasit dhe aleatët shpresojnë që të depërtohet tek fortifikimet kryesore.

Sepse disa ekspertë besojnë se Rusia do ta ketë të vështirë të pozicionojë rezervat e nevojshme për të siguruar linjën mbrojtëse, edhe pse deri tani i ka ri-dislokuar me shpejtësi forcat e saj. Vetëm koha do të tregojë nëse mund të arrihet një thyerje e plotë e linjës ruse, dhe nëse Ukraina mund të arrijë më afër qëllimit të saj për të shkëputur të ashtuquajturën urë tokësore që lidh istmin e aneksuar të Krimesë me territoret jugore të Ukrainës të pushtuara nga Rusia.

Por fakti që forcat ukrainase kanë arritur të rimarrin vetëm 108 kilometra katrorë të territorit të pushtuar që nga nisja e kundërofensivës së saj në fillim të qershorit, tregon se duhet pasur kujdes. Për më tepër Pentagoni ishte tashmë pesimist mbi perspektivat e kundërofensivës para se ajo të fillonte.

Zyrtarët ukrainas janë përpjekur ta ndryshojnë narrativën. “Pavarësisht gjithçkaje që thonë disa, forcat ukrainase po përparojnë, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”- deklaroi të shtunën e kaluar presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Por privatisht në Kiev shumë njerëz flasin për skenarin e një lufte të gjatë.

Sigurisht, nëse Ukraina nuk arrin një përparim më të madh në terren deri në nëntor, fjalët e Milley do të gjejnë më shumë jehonë, dhe shumë zyrtarë dhe ekspertë do të pyesin nëse kjo luftë është e fitueshme. Por ne ndeshemi me problemin me të cilin janë përballur që në fillim aleatët e Ukrainës, pasi ata nuk identifikuan asnjëherë kolektivisht synimet e qarta në këtë luftë, pjesërisht sepse përpjekja për ta bërë këtë do të kishte rrezikuar unitetin e aleatëve.

Në vend të kësaj, ata kanë ruajtur retorikën e tyre madhështore se në lojë është demokracia dhe nevojën për të mbrojtur të drejtat e sovranitetit dhe pavarësisë, në të kundërt do të kemi një rend botëror tashmë të rrënuar në dobi të autokratëve, duke shënuar agimin e një epoke tjetër të errët.

Ukraina sot, Tajvani dhe Baltiku nesër. Por nëse është kështu, atëherë pse aleatët perëndimorë nuk i kthyen fjalët e tyre në vepra, duke përdorur në maksimum fuqinë e tyre ekonomike, duke ia përshtatur industrinë luftës, siç bënë gjatë të ashtuquajturës Lufta e Madhe?

Pse kanë vepruar me vonesë në dërgimin e municioneve dhe armëve të sofistikuara? Një pjesë e arsyes ka qenë përpjekja për të siguruar një marrëveshje unanime midis aleatëve. Një tjetër ka qenë frika nga zhytja në një luftë bërthamore. Por një faktor tjetër kyç ka qenë se në thelb aleatët e Ukrainës nuk e kanë ndjerë kurrë se sa në rrezik është fati i demokracive të tyre. Dhe me gjithë simpatinë për Ukrainën dhe tmerrin ndaj mizorive barbare ruse në Bucha dhe gjetkë, popullatat e tyre mbi të gjitha janë më të shqetësuara për koston e tyre të jetesës. Dhe ndërsa lufta ka përparuar, ndjenja e rrezikut është zvogëluar. Tek e fundit, nëse “ariu” i madh rus nuk mund të nënshtrojë fqinjin e tij më të vogël të afërt, atëherë si do të mposhtë vendet evropiane të NATO-s, e lëre më pastaj të kërcënojë SHBA-në?

Rusia dhe Ukraina kanë një gjë të përbashkët: aleatët e tyre nuk besojnë se asnjëra palë mund të arrijë një fitore totale. Për Pekinin, kjo mund të jetë e dëshirueshme në vetvete. Sepse një Perëndim i shpërqendruar është i dobishëm për Kinën, dhe një Rusi e dobësuar do ta dijë vendin e saj si partneri i vogël në marrëdhëniet e tyre dypalëshe.

Por për të tjerët, duke përfshirë Ukrainën e shkatërruar nga lufta, një luftë e zgjatur nuk është e dëshirueshme dhe ndërsa ora shënon, ne ka të ngjarë të shohim më shumë zëra që kërkojnë negociata. Por ka 3 probleme me këtë plan B. Së pari dobësimi i mbështetjes tani, vetëm do ta bëjë Ukrainën më të cenueshme, gjë që do sillte pasoja për sigurinë evropiane dhe globale,

Së dyti, është se edhe nëse Zelenskyy do të pranonte të niste negociatat, ukrainasit e zakonshëm nuk janë aspak dakord të bisedohet me një Rusi që u ka bombarduar pa dallim shtëpitë e tyre; u ka masakruar fëmijët, i ka torturuar dhe rrëmbyer të tjerët.

Së treti, Putini mund të bjerë dakord për fillimin e bisedimeve, por ne i kemi parë se si përfundojnë negociatat me të. Për udhëheqësin rus, negociatat janë vetëm një armë tjetër lufte, që përdoret për të shpërqendruar, për të blerë kohë për manovrim në lidhje me objektivat e ardhshme ushtarake dhe diplomatike.

“Konfliktet e ngrira” janë forca e Putinit: ato i japin mundësi të kthejë në forcë dobësinë ndërkombëtare dhe të ruajë pushtetin në vend duke nxitur patriotizmin paranojak, duke i bindur rusët se armiqtë e huaj janë gati të shkatërrojnë Nënën e Shenjtë Rusi.

A ka dikush një Plan C? /albeu.com

 


Shtuar 5.09.2023 15:29

Tags: