Historike/ Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj shpallet kampion bote

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj, është shpallur kampion bote në peshën “cruiserweight”, pas fitores me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj kamerunasit Rolly Lambert Fogoum (120-108, 118-110, 119-109).

Në duelin e zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës, boksieri kuqezi “rrëmbeu” titullin e kategorisë IBO. Në një përballje të fortë, ai arriti të triumfojë ndaj rivalit të tij, duke marrë kurorën.

Të dy boksierët u treguan mjaft taktikë në ring, por boksieri nga Lezha ishte më agresiv, sidomos në raundet e parë, ku dhe ndërtoi fitoren e tij.

Më pas, 28-vjeçari, Uldedaj arriti të mbrojë avantazhin dhe të ngrejë lart flamurin kuqezi në mes të Londrës.

REAGIMI I JURGEN ULDEDAJT PAS TRIUMFIT:

KAMPION I BOTËS IBO – ËNDRRA U BË REALITET

Sot është dita që kam ëndërruar gjithë jetën time.

Pas shumë viteve sakrifice, mundi dhe besimi në Zot, u shpalla Kampion i Botës IBO në peshën cruiser.

Ky titull nuk është vetëm i imi – është për gjithë shqiptarët kudo që janë.

Për ata që besuan tek unë, për ata që më mbështetën, dhe për çdo djalë apo vajzë që ka një ëndërr — asgjë nuk është e pamundur nëse nuk dorëzohesh.

Faleminderit ekipit tim, familjes, trajnerëve dhe çdo personi që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi.

Sot shkruam histori për Shqipërinë!

 


Shtuar 26.10.2025 08:11