“Ju paguani tarifat më të larta për shkollimin”/ Berisha: Edi Rama riktheu standardet e diktaturës komuniste për universitetet

Lideri i opozitës tha se studentët paguajnë sot tarifat më të larta për shkollimin. Gjatë fjalës së tij në takimin me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së, Berisha u shpreh se Edi Rama riktheu standardet e diktaturës komuniste për universitetet.

Berisha tha se Rama riktheu mesataren, të cilën nuk e kanë vendet e lira dhe tarifat e larta. Kryedemokrati tha se në AKSHI është baxhanaku i Edi Ramës, Armand Frangu, të cilin PD e ka denoncuar me dhjetëra herë.

Sali Berisha: Dëgjoni për AKSHI-n. Çfarë ndodh në AKSHI? Në AKSHI është baxhanaku i Edi Ramës, Armand Frangu, e kemi denoncuar me dhjetëra herë. Aty, çdo tender duhet ta fitonte ky, në një kohë kur kishte një kapacitet sipërmarrës shumë modest. Tani ky nuk mjaftohej me tenderat që fitonte vetë, por merrte edhe prestanome dhe futej vetë i treti në tender, por ishte vetëm një, ishte Frangu. Dhe në qoftë se dilte ndonjë i vërtetë, ai merrej peng. A mund të imagjinoni ju një sipërmarrje shtetërore, se ajo është agjenci shtetërore, të marrë peng biznesmenë pse guxojnë të paraqiten në tendera siç është ligji, sic është rregulli, siç është gara?

Dhe kjo ndodh në kopshtin privat të Edi Ramës. Dhe pasi ndodh kjo, pasi dokumentohet gjithçka para të huajve, sepse një nga këto pengje kërkoi mbrojtje në një shtet të huaj dhe ata i dhanë, i jemi mirënjohës. Edi Rama thotë se ka respektin maksimal për Mirlindën, po pse e ka këtë respekt? Se është Linda, është e shoqja. Nuk ndodh kund kjo. Atëherë, ku janë të rinjtë sot? Të rinjtë sot duhet të marrin rrugët e dheut dhe në shpinë, në një qese, duhet të marrin edhe ëndrrën e tyre në rrugët e Europës, në rrugët e botës, sepse në Shqipëri nuk e ndërtojnë dot ëndrrën.

Nuk e ndërtojnë sepse ky riktheu standardet e ish-diktaturës komuniste në pranimet në universitete. Riktheu si satër mesataren, të cilën nuk e kanë vendet e lira. Ky riktheu tarifat. A e dini ju se paguani 4-5 herë më shumë se studenti gjerman për universitetin? A e dini se po të shkoni në Austri, ju paguheni në vit 3 ose 400 euro, kurse austriaku paguan 100 euro. Kjo sepse ka shteti detyrim që t’u shkollojë ju. Kurse ky vendos këtu, me rrogat më të ulëta, tarifa të cilat nuk i lejojnë 49 përqind të familjeve që të shkollojnë më shumë se një fëmijë. Edhe atë me shumë sakrifica.

Po pse? Pse u përmbys, pse ishte krejt e kundërta para vitit 2013? Kishte para më shumë? Jo, ne nuk kishim para më shumë. Ne jemi para e taksave të ulëta, ne kishim gjysmën e këtyre taksave. Por kishim një politikë ne, që të rinjtë duhet të shkollohen. E gjetëm vendin me 12 studentë për 1 mijë banorë, arritëm në 52 studentë për 1 mijë banorë. Sepse ishim shumë mbrapa. Dhe ky u kthye përsëri. Politikë armiqësore.


Shtuar 23.01.2026 19:17

Tags: ,