Ju ndihmojnë të merrni frymë lirisht, këto 6 bimë lehtësojnë simptomat e astmës

Astma është një çrregullim i frymëmarrjes i karakterizuar nga shtrëngime episodike dhe inflamacioni i tubave bronkialë. Mund të jetë akute ose kronike, dhe mund ta kenë këtë problem si fëmijët, ashtu dhe të rriturit.

Sulmet e astmës ndodhin kur ka një pengesë në futjen e ajrit në mushkëri. Shkaktarët e zakonshëm janë alergjitë, ndotja e ajrit, ajri i ftohtë, lagështia, infeksionet e frymëmarrjes, emocionet e forta, stresi, aktiviteti fizik, sulfitet dhe konservantët në ushqime dhe medikamente të caktuara.

Shkaku i saktë i këtij çrregullimi nuk dihet, por një numër faktorësh rrisin mundësinë për të zhvilluar astmë, të tilla si gjenetika, gjendja ekzistuese alergjike, obeziteti dhe pirja e tepërt. Simptomat e zakonshme të astmës përfshijnë kollitje, gulçim, ngushtësi në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje.

Ashpërsia e simptomave varion nga të vogla në serioze dhe madje kërcënuese për jetën. Këto simptoma mund të kontrollohen me ndryshimet e jetesës, ndryshimet dietike, ilaçet si dhe bimët. Në fakt, shumë bimë mund të ndihmojnë në trajtimin dhe parandalimin e sulmeve të astmës.

Këtu janë 6 barishtet më të mira për trajtimin e astmës dhe recetat përkatëse kurative, të përgatitura nga ekspertët e gazetës “Super Shëndeti…

RIGON

Rigoni është një barishte e fuqishme për trajtimin e astmës. Së bashku me vetitë anti-inflamatore, ajo përmban carvacrol, flavonoide dhe terpene që punojnë si elemente spastrimi të mushkërive. Kjo barishte mund të zvogëlojë inflamacionin e traktit të frymëmarrjes dhe të tubave bronkial, duke ofruar lehtësim nga simptomat e astmës.

Pini 2 deri në 3 gota çaj rigon çdo ditë kur vuani nga astma. Për të bërë çaj, futni 3 lugë çaj rigoni në një gotë me ujë të nxehtë për 5 deri 10 minuta. Kullojeni, shtoni mjaltë sipas shijes dhe pijeni.

Përndryshe, pini 1 lugë gjelle lëng të nxjerrë nga rigon freskët lë disa herë në ditë për të lehtësuar simptomat e astmës dhe kollën kronike.

XHENXHEFIL

Një barishte tjetër e njohur për trajtimin e astmës është xhenxhefili. Ka veti anti-inflamatore që ndihmojnë në zvogëlimin e inflamacionit të rrugëve të frymëmarrjes dhe pengojnë tkurrjen e rrugëve të frymëmarrjes.

Pini 2 deri në 3 gota çaj xhenxhefili çdo ditë. Për përgatitjen e tij, shtoni një copë të vogël xhenxhefili rreth 2 cm (prerë në copa të vogla) në një tenxhere me ujë të valuar. Lëreni të ziejë për 10 minuta, kullojeni, lëreni që të ftohet dhe të pijeni.

Një tjetër opsion është përzierja e sasive të barabarta të lëngut të xhenxhefilit, lëngut të shegës dhe mjaltit. Konsumoni 1 lugë gjelle të kësaj përzierje 2 ose 3 herë në ditë.

HUDHRA

Sipas mjekësisë tradicionale, hudhra është një barishte mjekësore popullore e përdorur për trajtimin e astmës. Vetitë e saj anti-inflamatore ndihmojnë në pastrimin e mukozës në mushkëri. Përveç kësaj, vetitë e saj antibiotike dhe antivirale ndihmojnë në rritjen e imunitetit dhe luftimin e infeksioneve që mund të shkaktojnë astmë.

Vloni një filxhan me qumësht dhe futni 2 deri 3 thelpinj hudhre në të. Lëreni që të ftohet në temperaturën e dhomës dhe pije atë një herë në ditë.

Gjithashtu, ju mund të hani 2 thelpinj hudhre me 1 lugë të vogël uthull molle dhe mjaltë çdo ditë, para se të hani mëngjes.

Një tjetër mundësi është që të hani 1 deri në 2 thelpinj hudhre të grimcuar çdo ditë për të rritur imunitetin dhe për të parandaluar sulmet e astmës.

JAMBALL

Jamballi bimor gjithashtu ndihmon në trajtimin e astmës. Jamballi ka një efekt sistemik anti-inflamator në mushkëri, i cili ndihmon në reduktimin e inflamacionit të tubave bronkialë, qetëson rrugët e frymëmarrjes dhe rivendos frymëmarrjen normale. Përveç kësaj, ai ka veti që stimulojnë imunitetin.

Shto 2 lugë çaji pluhur rrënjë jamballi në një gotë me ujë të nxehtë. Mbuloje dhe pritni për 10 minuta. Kullojeni, shtoni mjaltë sipas shijes dhe pijeni një herë në ditë kur vuani nga astma.

SHAFRAN I INDISË

Shafrani i Indisë është një barishte e fuqishme për të parandaluar sulmet e astmës dhe alergjitë e tjera. Ai përmban përbërës aktiv curcumin, një antioksidant i fuqishëm dhe përbërës anti-inflamator që ndihmon në luftën kundër simptomave të astmës.

Përzieni 1 lugë çaji pluhur shafran të Indisë në 1 filxhan qumësht dhe vlojeni atë. Lëreni që të ftohet dhe të pijeni dy herë në ditë.

HITHRA

Hithra është një trajtim i shkëlqyer për astmën e lidhur me alergjinë. Kjo barishte përmban antihistaminë natyrore dhe veti anti-inflamatore që ndihmojnë në hapjen e pjesëve të ngushta bronkiale dhe hundore duke lehtësuar simptomat e astmës. Përveç kësaj, ajo është e pasur me acid butirik, i cili ndihmon në ruajtjen e një sistemi imun të shëndetshëm dhe metabolizmin.

Shtoni 1 lugë gjelle me rrënjët e thata, ose gjethe të hithrës në një gotë me ujë të nxehtë. Mbulojeni dhe lëreni të pushojë për 5 minuta. Kullojeni, shtoni mjaltë sipas shijes dhe pijeni. Ju mund të pini këtë çaj bimor disa herë në ditë kur vuani nga astma.

Cilat do të ishin disa nga këshillat parandaluese?

Mbajini fëmijët në vende të ajrosura mirë.

Eliminoni lagështirën, sidomos në dhomat e gjumit.

Eliminoni ambientet e pa ajrosura mirë dhe me myk.

Ushqeni me gji fëmijët, të paktën deri në moshën 1 vjeç.

Shmangni sterilitetin e tepruar në rritjen e fëmijëve.

Shmangni mbipërdorimin e detergjenteve.

Shmangni përdorimin e ushqimeve që përmbajnë alergjentë.

Shmangni ekspozimin ndaj poleneve të luleve.

Gratë shtatzëna nuk duhet të qëndrojnë në ambiente me tym duhani.

Fëmijët e vegjël nuk duhet të qëndrojnë në ambiente ku pihet duhan.

Shkuarja te mjeku specialist dhe zbatimi me përpikmëri i rekomandimeve të tij./supershendeti.com