Në një video të publikuar në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar deklaratat e qeverisë për rritjen e pagave, duke i cilësuar si një manovër propagandistike që nuk reflekton realitetin ekonomik të shqiptarëve.
Tabaku theksoi se qeveria ka pranuar më në fund rritjen dramatike të çmimeve të produkteve bazë, që arrijnë nga 30% deri në 60%, duke u bërë barrë e rëndë për qytetarët.
Sipas saj, rritjet e pagave dhe pensioneve që ofron qeveria janë të pamjaftueshme dhe nuk ndikojnë në përmirësimin e jetesës së familjeve shqiptare.
Deputetja denoncon gjithashtu, koncentrimin e ekonomisë në pak duar dhe prodhimin kryesisht për një pakicë, ndërsa shumica e qytetarëve përballen me ulje fuqie blerëse dhe mungesë mbështetjeje reale nga shteti.
“Një familje që shpenzon 40% të buxhetit vetëm për ushqime nuk mund të trajtohet si histori suksesi nga propaganda qeveritare”, tha Tabaku.
Sipas saj, rritja e çmimeve dhe varfërimi i qytetarëve janë realiteti i vërtetë që do të përballet me buxhetin e vitit të ardhshëm, jo premtimet për “vit të administratës” apo “vit të pensionistëve”.
