Jorida Tabaku: Rishikimi i buxhetit, asnjë përmirësim për qytetarët

Ditwn e sotme, deputetja e Partisë Demokratike (PD), Jorida Tabaku, ka kritikuar aktin normativ për rishikimin e buxhetit, duke e quajtur atë një tjetër buxhet që nuk sjell asnjë përmirësim për qytetarët.

Sipas Tabakut, akti normativ është një reflektim i 11 viteve të buxheteve socialiste që kanë lënë pas dore interesat e qytetarëve, shtresës së mesme, fermerëve, arsimit dhe sektorëve të tjerë të rëndësishëm të vendit.

“Ndërkohë që rritja e pagave reale ka qenë vetëm 2.2% në 11 vite socialiste, rritja e çmimeve ka qenë 2.5%. Për herë të parë në 15 vite, paga reale ka qenë në rënie”, tha Tabaku, duke ngritur shqetësimin se këto politika ekonomike kanë ulur vlerën e pagave dhe kursimeve të qytetarëve.

Tabaku akuzoi qeverinë për kthimin e buxhetit në favor të pakicës, ndërsa shumica e qytetarëve vazhdon të përballet me vështirësi ekonomike.

Duke përfunduar, deputetja e PD theksoi se ky akt normativ, si gjithë të tjerët më parë, nuk sjell asnjë ndryshim real në jetën e përditshme të qytetarëve dhe nuk adreson problemet e tyre kryesore.


Shtuar 3.09.2024 12:54