Jordania hedh nga ajri ndihma mjekësore dhe ushqim në një spital në Gaza

Një aeroplan jordanez ka hedhur nga ajri pajisje mjekësore jetike dhe ushqim në një spital fushor në Rripin e rrethuar të Gazës të dielën gjatë mbrëmjes.

Lajmi u konfirmua të hënën në mëngjes nga vetë Izraeli dhe Jordania.

Ushtria e Izraelit tha të hënën se u “koordinua” me Jordaninë që ajo ta furnizojë nga ajri një spital fushor në Rripin e Gazës.

“Gjatë natës, në koordinim me IDF-në [Forcat Mbrojtëse të Izraelit), një aeroplan jordanez hodhi nga ajri pajisje mjekësore dhe ushqim në Spitalin Jordanez në Rripin e Gazës”, tha Ushtria e Izraelit në një komunikatë.

Sipas saj, pajisjet mjekësore do të përdoren nga stafi mjekësor për pacientët.

Ndërkohë, mbreti i Jordanisë, Abudallah II, tha të hënën në mëngjes se vendi i tij dërgoi gjatë natës “ndihma urgjente mjekësore” në spitalin fushor.

“Është detyra jonë t’u ndihmojmë vëllezërve dhe motrave tona të lënduar në luftën e Gazës. Ne do të jemi gjithmonë pranë vëllezërve tanë palestinezë”, tha ai.

Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe kontrollon çfarë futet në të dhe çfarë del nga ajo. Javë më parë u arrit marrëveshje për lejimin e futjes së ndihmave humanitare përmes pikëkalimit të Gazës me Egjipit, Rafah, por në sasi të kufizuar.

Lufta mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulmeve në qytete të Izraelit jugor, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbeu mbi 240 njerëz të tjerë.

Prej atëherë, Izraeli është duke e sulmuar Rripin e Gazës nga ajri, deti dhe toka, në përpjekje për ta rrënuar Hamasin. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, mbi 10.000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite.


Shtuar 6.11.2023 09:30