Si ndryshoi jeta pas Covid-19

Çfarë do të thotë rihapja e madhe për Kinën dhe botën. Ngjarja më e madhe ekonomike e këtij viti është duke u zhvilluar, shkruan The Economist

Kur kufijtë u hapën në janar, Kina pati kaluar 1016 ditë e mbyllur për botën e jashtme.

Politika “zero-covid” e vendit ka qenë një eksperiment social dhe ekonomik i jashtëzakonshëm: në fillim një fushatë e gjerë për shëndetin publik që nisi të mbante nën kontroll pandeminë, duke krenuar Xi Jinping, dhe në fund, u shndërrua në një makth për 1.4 miliardë banorët e Kinës.

Një ushtri njerëzish me uniforma të bardha kanë mbledhur me dhjetëra miliarda shtupa për fytin dhe hundën. Me miliona veta hynë në karantinë ose u dërguan nëpër kampe, shpesh në mënyrë arbitrare.

Për shkak të frikës nga izolimi, njerëzit largoheshin nga zyrat dhe fabrikat sapo zbuloheshin raste infektimi. Video amatore tregonin banorë që kërcenin nga ballkonet e apartamenteve, pasi kishin kaluar javë të tëra nën izolim.

Në qytetet e mëdha, jeta e përditshme ndali për muaj të tërë. Klasa kozmopolite e të rinjve të pasur kinezë, u detyrua të përjetonte një jetë të re pa udhëtime ndërkombëtare. Sipërmarrësve dhe drejtuesve të huaj, iu ndalua të ktheheshin në shtëpitë dhe bizneset e tyre në vend.

Përpara se vaksinat të ishin gjerësisht të disponueshme, zyrtarët mund të argumentonin se kjo qasje ishte e nevojshme për të shpëtuar jetë. Në fund, u bë e qartë se eksperimenti nuk ofronte gjë tjetër veçse një jetesë të zymtë, me kosto të jashtëzakonshme.

Ekonomia e Kinës u rrit me më pak se 3% në vitin 2022. Gjatë 18 muajve të fundit, ajo ka hequr dorë nga një vlerë PBB-je prej rreth 1 trilion dollarësh, sipas firmës kërkimore Oxford Economics, një shumë që do t’i shtohej ekonomisë së vendit nëse do të ishte rihapur si pjesa tjetër e botës.

Kufizimet në lëvizje kërkuan zinxhirë më të avancuar të furnizimit global. Në nëntor, fitimet e kompanive industriale ranë me 9% në bazë vjetore.

Ndërkohë, shkëmbimet mes Kinës dhe botës së jashtme, ranë në nivelin më të ulët në dekada. Kanë mbetur pak studentë të huaj. Turizmi jashtë shtetit ka rënë. Xi vetëm kohët e fundit ka rifilluar udhëtimet jashtë vendit, pasi ka qëndruar në Kinë për dy vjet e gjysmë.

Politika zero-covid zgjati më shumë nga sa pritej fillimisht, dhe më pas u shemb më shpejt nga sa imagjinohej. Në pak javë, Kina ka kaluar nga një shtet me një prej kufizimeve më të rrepta në botë, në një vend që nuk imponon më asnjë kufizim.

Për popullatën në përgjithësi, është zhdukur frika nga bllokimet dhe karantina. Pas një periudhe turbulence, aktiviteti ekonomik ka të ngjarë të rimëkëmbet ndjeshëm.

Rritja e kërkesës për energji dhe mallra, do të ndihet në mbarë botën. Investitorët dhe drejtuesit shumëkombësh mund të vizitojnë së shpejti zyrat dhe fabrikat e tyre në Kinë. Rilidhja e madhe e Kinës me botën e jashtme, shënon fundin e një epoke: atë të pandemisë globale.

Normaliteti nuk do të vijë menjëherë. Sipas një vlerësimi, 37 milionë njerëz në ditë infektohen me Covid-19. Spitalet janë të mbingarkuar. Po ashtu edhe krematoriumet. Zyrtarët pranojnë vetëm një numër të vogël vdekjesh dhe përballen me një sfidë të madhe për të mbajtur funksionale linjat e prodhimit.

Prodhuesi i makinave Tesla, ndaloi punën në fabrikën në Shangai më 24 dhjetor. Zyrtarët lokalë mund të mbyllin qytetet për të frenuar infeksionet, shqetësohet një shef ekzekutiv. Ekonomia mund të tkurret në tre muajt e parë të hapjes, thotë Tommy Wu nga Commerzbank.

Por rimëkëmbja do të vijë më herët nga sa prisnin analistët. Shumë mendojnë se periudha e paqëndrueshmërisë do të marrë fund deri në fund të marsit. Në atë pikë, do të fillojë një rimëkëmbje që do të marrë vrull gjatë vitit.

Li Pengfei, i cili punonte si menaxher në një firmë industriale softuerësh në Pekin, është ndër ata persona që janë të dëshpëruar për t’iu kthyer normalitetit. Li humbi punën në shkurt, kur kufizimet i bënë pothuajse të pamundura detyrat thelbësore, si udhëtimet për të takuar klientët.

Ai jetoi një pjesë të mirë të vitit të kaluar me të motrën, por më pas u detyrua të kthehej në shtëpi në provincën Jilin, në verilindjen e largët të Kinës, aty ku perspektivat ekonomike ishin të zymta edhe para pandemisë. “Gjendja duket kaq e pasigurt, sa që edhe kompanitë e mëdha po ulin numrin e punëtorëve”, thotë ai.

Gjetiu në botë, drejtuesit janë të shqetësuar për një “valë dorëheqjesh”, për shkak të punonjësve që lënë punën ose braktisin fuqinë punëtore.

Kjo është më pak shqetësuese në Kinë. Qeveria nuk shpërndau çeqe në formë ndihme financiare, siç bëri Amerika gjatë pandemisë. Ekonomistët besojnë se njerëzit që humbën vendet e punës, si zoti Li, do të rikthehen në punë kur të krijohet mundësia, duke ndihmuar në prodhimin e qëndrueshëm të fabrikave.

 

Shpenzimet e shfrenuara të presidentit Xi

Edhe konsumi do të rritet. Të ardhurat kanë rënë, por politika zero-covid gjithashtu ka ulur shpenzimet, pasi njerëzit po shmangnin udhëtimet dhe restorantet.

Gjithsesi, familjet kursyen një të tretën e të ardhurave të tyre vitin e kaluar. Shumë do të ngrihen përsëri në këmbë pas humbjes së vendeve të punës, stanjacionit të pagave dhe rënies së vlerës së shtëpive të tyre, që do të thotë se shpenzimet do të jenë të kufizuara.

Por Jacqueline Rong nga Banka BNP Paribas, llogarit se konsumi i familjeve do të rritet me rreth 9% në vitin 2023, përmirësim i dukshëm krahasuar me normën e rritjes vitin e kaluar.

Rihapja do të jetë e mirë edhe për sektorin e trazuar të pronave në Kinë, megjithëse kjo do të varet edhe nga vendimet politike. Në nëntor, ndërsa kufizimet Covid-19 u zbehën, politikanët lehtësuan qasjen e sektorit të pronave në financim.

Kjo duhet të ndihmojë firmat më të forta të shmangin falimentimin dhe të përfundojnë ndërtimin e banesave që ua kanë shitur blerësve të shtëpive.

Në Konferencën Qendrore të Punës Ekonomike në Kinë në dhjetor, politikanët premtuan të mbështesnin “kërkesën themelore”. Për këtë qëllim, ata mund të bëjnë shkurtime të mëtejshme në normat e hipotekës dhe kërkesat e parapagimit.

Parashikimet për ecurinë e sektorit të pronave, duke përfshirë ndërtimin, shërbimet dhe mobilimin, variojnë gjerësisht. Aktiviteti në industri mund të rritet me 3% këtë vit, sipas Jing Liu nga Banka HSBC, mjaftueshëm sa për të shtuar 0.9 pikë përqindje në rritjen e PBB-së së Kinës.

Një skenar më optimist ka parashikuar rritjen E aktivitetit me 5%, duke i shtuar 1.5 pikë përqindje PBB-së së vendit. Disa familje mund të vendosin se tani është një kohë e mirë për të blerë, përpara se çmimet të rriten sërish ose të kthehen kufizimet rregullatore për blerjet e shtëpive.

Ndërlikimet ekonomike të rihapjes janë edhe më të gjera. Politika zero-covid frenoi kërkesën e Kinës për mallra dhe shërbime globale. Për shembull, gjatë bllokimit të Shangait në gjysmën e parë të vitit të kaluar, kërkesa e vendit për naftë ra me rreth 2 milionë fuçi në ditë.

Në të kaluarën, rënie të tilla në shpenzimet kineze do të kishin penguar rritjen e konsiderueshme të ekonomisë botërore.

Rënia nga Covid-19 ka qenë e ndryshme. Ajo përkoi me një ekonomi “të mbinxehur” në Amerikë dhe me furnizim të ndërprerë me energji në Europë. “Të paktën, këtë herë, Kina nuk po kontribuon në inflacion”, thotë Louis Kuijs, nga agjencia e vlerësimit S&P Global./Monitor/

 


Shtuar 28.01.2023 07:36

Tags: ,