Suella Braverman ka dhënë dorëheqjen nga qeveria e drejtuar prej kryeministres britanike, Liz Truss pasi dërgoi një dokument zyrtar nga emaili i saj personal duke shkelur rregullat e sigurisë qeveritare.
Në një letër dorëheqjeje dërguar kryeministres të mërkurën, Braverman tha se “Kam bërë një gabim; pranoj përgjegjësinë; jap dorëheqje”.
Ajo shprehu edhe “shqetësimin për drejtimin e kësaj qeverie”, raporton skynews.
Mediumi britanik kupton se Truss e ka ndërmend të emërojë ish-sekretarin e transportit, Grant Shapps, në rolin e Ministrit të Brendshëm. Ai është parë duke hyrë në numrin 10 pasditen e sotme.
“Më parë sot, i dërgova një dokument zyrtar nga emaili im personal një kolegu të besuar parlamentar si pjesë e angazhimit të politikave dhe me qëllimin për të mbledhur mbështetje për politikën e qeverisë për migracionin”, shkruan në letrën e saj, Braverman.
“Kjo përbën një shkelje teknike të rregullave. Siç e dini, dokumenti ishte një draft Deklaratë e Shkruar e Ministrisë për migracionin, që do të publikohej së shpejti. Një pjesë e madhe e tij tashmë ka arritur tek deputetët. Megjithatë, është e drejtë që unë të shkoj. Sapo e kuptova gabimin tim, e raportova me shpejtësi në kanalet zyrtare dhe e njoftova sekretarin e kabinetit. Si sekretare e Brendshme, unë e konsideroj veten njeri i standardeve të larta dhe dorëheqja ime është gjëja e duhur për të bërë”.
Ajo shtoi se “Të pretendosh se nuk kemi bërë gabime, të vazhdosh sikur të gjithë nuk mund ta shohin se ne i kemi bërë ato dhe të shpresosh se gjërat do të shkojnë në mënyrë magjike nuk është një politikë serioze”.
Braverman u emërua nga Truss vetëm 43 ditë më parë. Largimi i fundit pason shkarkimin e kancelarit, Kwasi Kwarteng të premten e kaluar dhe heqjen e shumicës së mini-buxhetit të qeverisë nga kancelari i ri, Jeremy Hunt.