“Jemi të rrethuar nga tubat e ujërave të zeza”/ Përmbytjet në Durrës, banorët dalin sërish në protestë: Hera e 3 që përmbytemi, asnjë dëmshpërblim

Qytetarët e Durrësit kanë dalë sërish sot në protestë lidhur me përmbytjet masive. Qytetarët shprehën pakënaqësitë e tyre për menaxhimin e situatës nga bashkia. Një nga protestuesit shprehet se kërkon të drejtën e tij dhe thekson se shtëpi i është përmbytur. Lidhur me përmbytjen, ai thekson se nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.

“Unë kam dalë sot të protestoj dhe të kërkoj të drejtën time. Shtëpi më është përmbytur. E kam shtëpinë afër burgut. Asnjë nuk ka ardhur. I kemi njoftuar, por presin të largohet uji. I kërkoj bashkisë së Durrësit të jenë pranë qytetarëve. Janë në ujë të gjithë njerëzit. Është hera e tretë që përmbytemi, asnjë dëmshpërblim nuk kemi marrë”, u shpreh një qytetare.

Ndërsa një qytetarë tjetër shprehet se i gjithë uji që është futur në oborr është kolere dhe thekson se janë të rrethuar nga tubat e ujërave të zeza. Ata kërkojnë veprime më konkrete dhe të menjëhershme nga institucionet për të parandaluar dëmet në banesa dhe biznese.

“Jemi përmbytur. I gjithë uji që është në oborr është kolere. Jemi të rrethuar nga tubat e ujërave të zeza. Duhet të ecësh me skaf. Duam drejtësi. Të vijnë të hapin kanalizime”, u shpreh një qytetari.


Shtuar 9.01.2026 18:05