Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë takimit me drejtuesit e departamenteve të kësaj partie, ngriti edhe njëherë shqetësimin e madh për situatën e rëndë ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria.
Sipas tij, ekonomia shqiptare është në rënie të lirë, për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit që ka përfshirë çdo instancë të vendit.
Ai theksoi se e vetmja që mund të ndalë gropën e madhe që është krijuar në PD dhe opozita e bashkuar, e cila do t’i bëjë ballë së keqes.
“Atyre që kthehen nga jashtë me idealin fisnik për ti shërbyer vendit tyre, kombit tyre, por që këtu gjejnë mure të pakapërcyeshme. Të tjerë që ju i keni njohur, janë me studime. Pra, duhet të bëjmë gjithçka që këto departamente të tërheqin, të përfshijnë, elitën më të mirë të kombit.
Kultivimi, tërheqja e një elite, është kusht themelor për të ndryshuar këtë gjendje katastrofale ku gjendet Shqipëria sot. Shqipëria është në rënie të lirë, rënie vërtetë të lirë dhe shumë e shumë besojnë se kjo nuk ndalet, shumë shtrojnë pyetjen; çfarë përgjigje, si do ti përgjigjemi kësaj situate. Të gjitha këto janë pyetje të drejta, por përgjigja është; absolutisht ne e ndalim këtë situatë. Ne kemi përgjigjet më të mira për të gjitha këto vendime që po e shkretojnë Shqipërinë.
Unë njoh shumicën dhe prapa jush shoh problematikat e tmerrshme me të cilën përballet sot, sektori juaj, kudo. Këto problematika kanë nevojë për një përgjigje emergjente. Secili nga ju krahas programit afatmesëm afatgjatë duhet të ketë paketën e emergjencës, sepse Shqipëria absolutisht në çdo fushë po rrënohet.
Para 2 vitesh një studim i Bankës Botërore tregonte se Shqipëria zinte vendin e tretë në botë për ryshfetin. Ju garantoj që sot duhet të jetë vendi i parë me distancë. Ju nuk mund të imagjinoni se si çdo ndërtim pa leje paguhet gjoba policisë, që shkon në 100, 200 mijë sipas ndërtimit. Paguhet tatimeve, paguhen taksave. Shqiptarët janë në një sistem gjobëvënie të tmerrshme.
Unë ju dhashë këtë shembull. Por nëse marrim arsimin, të gjitha format e përçmimit, diskriminimit ndaj arsimtarëve sot janë në fuqi.
Po bujqësia, në shkatërrim progresiv. Ne nuk kemi fusha të mëdha, por kemi një potencial të padiskutueshëm bujqësor, në fusha, kodra, kudo. Ne kemi një tokë të bekuar, bëhet gjithçka“, deklaroi Berisha.