Këngëtarja shqiptare Mira Konçi ka rrëfeyer me shumë emocion për jetën e saj personale, familjen dhe rrugëtimin në muzikë.
Gjatë një interviste, ajo u ndal te fillimet e karrierës së saj, duke kujtuar koncertin e parë në vitin 1990, moment që sipas saj shënoi një pikë kthese të rëndësishme.
Konçi tregoi se nuk kishte një formim klasik në muzikë, por gjithçka e kishte arritur me pasion dhe përkushtim, duke e konsideruar veten autodidakte.
“Nuk isha pjesë e muzikës, isha dhe jam autodidakte. E ndjej veten me fat që isha pjesë e atij momenti dhe që u bë histori, që vazhdon të shkruhet”, u shpreh këngëtarja, duke theksuar se rrugëtimi i saj ka qenë i mbushur me sfida, por edhe me shumë arritje.
Një nga momentet më prekëse të intervistës ishte kur në ekran u shfaqën foto të vjetra familjare, të cilat sollën emocione të forta për të. Ajo foli me shumë dashuri për nënën e saj, duke e cilësuar si figurën më të rëndësishme në jetën e saj.
“Si foto filmash… Me nënën kam një lidhje të veçantë, është modeli im, qenia më e mençur që mund të njoh deri sot”, u shpreh Konçi, duke treguar edhe një herë lidhjen e fortë familjare që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Rrëfimi i saj u prit me interes nga publiku, duke rikthyer vëmendjen te një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare, që vijon të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së saj.
