Gjyqtari i posaçëm Erion Bani, ka argumentuar se Erion Veliaj, duhet të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi është një përsëritës i veprimeve kriminale dhe për më tepër së bashku me gruan e tij, kishin filluar të intimidonin personat që pyeteshin si dëshmitarë në SPAK.
Në argumentet që gjyqtar Bani arsyeton në vendimin e tij nënvizohet fakti se:
”…gjykata mban në konsideratë personalitetin e shtetasve nën hetim, edhe natyrën, llojin, mjetet, kohën dhe vendin e kryerjes se veprës penale, por edhe llojin dhe shkakun e pasojave të ardhura nga kryerja e saj, llojin dhe shkallën e fajësisë, por edhe sjelljen e autorëve të dyshuar pas momentit të marrjes dijeni se ndaj tyre kishte nisur një procedim…”.
Gjykata mban në konsideratë mekanizmin që personat nën hetim kanë ideuar, vënë në funksion dhe zbatuar për një kohë të gjatë, duket i vështirë të ndalet edhe prej vetë tyre.
Kështu, në lidhje me personalitetin e personave nën hetim konstatohet se nga ana e tyre deri në këtë fazë të hetimeve nuk është shfaqur asnjë pendesë për veprimet e kryera në shkelje të ligjit.
Ndërsa janë pyetur nga organi procedues, në kundërshtim me të gjitha provat evidente, Veliaj dhe Xoxa kanë mohuar çdo përgjegjësi në lidhje me veprimet e kryera.
Argumentet e tyre për mungesë përgjegjësie, për shkak të të drejtave të tyre kushtetuese për të zhvilluar lirshëm aktivitete ekonomike, pa u kufizuar për kryerjen e tyre nga asnjë ligj apo akt nënligjor, apo dhe për mungesë dijenie si dhe mungesë memorie, në rastet kur janë ballafaquar me prova të qarta, dëshmon më së paku për një qasje aspak bashkëpunuese me organin procedues dhe nga ana tjetër tregon potencialin e përsëritjes së veprimeve të tyre në kundërshtim me ligjin.
“…Po ashtu çifti Xoxa-Veliaj, gjatë kësaj faze kanë kryer veprime të cilat fillojnë më kontaktimin e deklaruesve të thirrur nga organi procedues, dhe përfundojnë me orientimin e këtyre të fundit se çfarë duhet të deklarojnë para këtij organi…”,-thuhet në vendim.
Kjo e bën më të rëndë këtë situatë, është dyshimi i bazuar se këta persona mund të kenë tentuar të prishin provat, të cilat lidhen me sende të zotëruara më parë nga shtetas të përmendur më lart.
“…nga ana tjetër, sjellja e personit nën hetim Erion Veliaj, kur bëhet fjalë për komunikimin e përdorur me hetuesit e BKH-së dhe “kurajon” e shfaqur nga ky shtetas për t’i lënë të shkruara mesazhet e tij intimiduese në adresë të organit procedues, dëshmon qartë për personalitetin e këtij të fundit…”,-thuhet në vendim.
Pra, sa më tepër që Xoxa-Veliaj, të vijojnë të qëndrojnë të lirë aq më i madh është rreziku që ata të kryejnë krime të rënda, të të njëjtit lloj më ato për të cilat procedohen.
Gjatë gjithë kësaj periudhe të hetimit paraprak, por edhe së fundmi, ekziston dyshimi i arsyeshëm se përfitimet e parregullta të titullarit të Bashkisë Tiranë, të marra drejtpërdrejt apo tërthorazi, për vete por edhe për familjarët e afërt të tij, për kryerjen e veprimeve që lidhen me funksionin e tij, kanë vijuar pa u ndalur.
“…në këtë kuptim, nga hetimi deri në këtë fazë konstatohet se veprimet që i përkasin pastrimit të produkteve të veprës penale, nga personi nën hetim Erion Veliaj, për shkak edhe të mekanizmit të ngritur përgjatë gjithë këtyre viteve, të kryera në bashkëpunim dhe më shumë se një herë me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, kanë vijuar edhe për arsyen se një skemë e tillë, për shkak të kompleksitetit që paraqet, është objektivisht e vështirë të pushojë së ekzistuari përsa kohë që subjektet tregtare vijojnë e marrin financime apo përfitime të tjera nga Bashkia Tiranë, për të cilat në një formë ose një tjetër i duhet të jenë “mirënjohës” titullarit të këtij institucioni…”.
Në rastin konkret, Gjykata mban parasysh faktin se personi nën hetim Erion Veliaj, vijon që të ushtrojnë funksione publike dhe ekziston rreziku ai të abuzoje me detyrën.
Ndërkohë, përsa i përket personit nën hetim Elman Abule, nga hetimi deri në këtë fazë ka rezultuar se veprimet e kundërligjshme të tij, të cilat lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, kanë zgjatur në kohë dhe kanë sjellë si pasojë “justifikimin” e shumave të konsiderueshme monetare, të cilat më pas kanë hyrë si përfitim pasuror në bashkësinë ligjore të shtetasve Veliaj-Xoxa.