Ja destinacionet më të mira për t’u vizituar në 2023

Evropa ka gjithmonë diçka për të ofruar. Dhe nëse jeni në dilemë se cilin vend do të vizitoni, ne po ju ofrojmë disa destinacione për t’ju ndihmuar të eksploroni kontinentin e vjetër.

Vendet evropiane kanë pasur kohë për të përsosur planifikimin urban dhe për të vënë nën kontroll transportin publik prandaj kjo e bën lëvizjen shumë të lehtë.

Udhëtarët mund të shijojnë një sërë pamjesh në një hapësirë ​​relativisht të shkurtër kohe. Nga arkitektura te qytetet unike dhe nga festivalet tek jeta e natës, nuk do të jeni aspak të kufizuar në zgjedhjet tuaja.

Gjithashtu, kufijtë e hapur të zonës Shengen bëjnë të mundur udhëtimin në pjesën më të madhe të Evropës me një vulë të vetme pasaporte në hyrje dhe dalje. Kjo përfshin shumë vende brenda Bashkimit Evropian si dhe vende bashkëpunuese si Zvicra.

Përmes këtij materiali po prezantojmë disa nga destinacionet më të mira në  kontinentin e vjetër dhe çfarë e bën secilin vend  kaq të veçantë.

Qyteti Hallstatt është një nga një nga vendet më të bukura në Austri, i cili po njeh mjaft popullaritet gjatë viteve të fundit. Qyteti alpin, i vendosur në bregun perëndimor të liqenit Hallstatt në rajonin malor Salzkammergut, është shtëpia e më pak se 1000 banorëve, që ofron një pamje të  jashtëzakonshme të Alpeve Austriake. Disa nga banorët më të dashur të qytetit janë mjellmat që kanë bërë shtëpinë e tyre në dhe rreth liqenit Hallstatt.

Zogjtë e famshëm u sollën në fund të shekullit të 19-të nga Perandoresha Elisabeth e Austrisë dhe bashkëshorti i saj, Franz Joseph i cili dikur zotëronte një vendpushim veror në këtë vend.

Ky qytet i vogël i fton vizitorët të humbasin në rrugët e tij shumëngjyrëshe, duke ofruar izolim dhe qetësi që nuk do ta gjeni në  qyetet e mbipopulluara në Evropë.

Hallstatt

Nuk ka dyshim se qyteti i Pragës është një nga më madhështorët e Evropës. Pra, nuk është për t’u habitur se sa i zhurmshëm është kryeqyteti çek gjatë muajve të tij të ngrohtë.

I vendosur në zemër të Evropës, kryeqyteti i Republikës Çeke është një destinacion i preferuar për udhëtarët që janë të apasionuar pas qyteteve të  vjetra dhe arkitekturës. Ky qytet i madhështisë dhe kulturës së botës së vjetër mund të duket edhe më i bukur nën petkun e dëborës.

Ketu mund të vizitoni Kalanë e Pragës, e cila shërbeu si rezidencë për mbretërit dhe presidentët çekë. I gjithë kompleksi është i madh, aq sa  ka hyrë në Librin e  Rekordeve Guinness si kompleksi më i madh i kështjellës antike në botë.

Katedralja e Shën Vitit apo ura e Karlit i japin mundësinë çdo vizitori të prekin copëza nga e kaluara.

Por Praga mund të jetë fare mirë edhe një destinacion argëtues për shkak të festave dhe birrave të famshme. Nuk duhet shmangur as tregu i famshëm evropian i Krishtlindjeve, ku çdo vizitor mund të shijojë frymën festive të qytetit me pije sezonale si vera e nxehtë dhe pijet lokale.

Praga

Kryeqyteti baltik Talin është një qytet  përrallash. Mundësia për të bërë patinazh në akull në këtë vend është një mënyrë mjaft e mirë për të përballuar temperaturat e ulëta. Por nëse nuk ku pëlqen kjo zgjedhje mund të zgjidhni një sauna ose një spa të mirë.

Sigurisht, ekziston gjithmonë mundësia për t’u ulur në një bar apo kafene dhe për të parë borën që bie nga dritarja. Për të prekur kulturën e vendit mund të konsumoni ushqim në të ashtuquajturin Sheshi i Bashkisë së Talinit që ka  qenë zemra e qytetit për më shumë se tetë shekuj. Këtu stafi shërben me kostume dhe muzikantë që luajnë melodi të vjetra.

Por Talini është plot me hapësira të gjelbra ku vendasit dhe vizitorët mund të pushojnë, të kalojnë kohë dhe të shijojnë kafen e tyre. Ndër shumë parqe të mrekullueshme i veçantë është edhe ai i Pallatit Kadriorg i porositur nga Pjetri i Madh për të nderuar gruan e tij, Katerina.

Një përzierje e pemëve dhe livadheve të zbukuruara me kujdes sipas stilit  italian, francez dhe holandez bën që çdo cep i këtij parku të ofrojë një ndjesi tjetër.

Talin

Abisko është një fshat i vogël në pjesën veriore të Suedisë dhe shtrihet brenda Rrethit Arktik. Peizazhi është i mrekullueshëm, i përbërë nga male dhe pyje të bukura që ruajnë bukurinë e tij në të gjitha stinët gjatë gjithë vitit.

Në Abisko mund të shihni për të ashtuquajturat dritat  e veriut, një spektakël i vertetë ngjyrash. Qielli është i kthjellët në shumicën e ditëve të vitit, kështu që për të parë  këtë fenomen natyror duhet që qielli të jetë  i pastër dhe kjo është pikërisht  ajo që ofron ky fshat suedez.

Për më tepër, vendndodhja e Abisko bën që ky vend  të jetë i përsosur për të pare këtë fenomen natyror. Të shohësh dritat e veriut është me të vërtetë një përvojë magjike dhe mbetet magjepsëse sepse është  një përvojë ndryshe çdo here.

Abisko

Budapesti është mjaft i famshëm në ditë të ftohta për ujërat e tij termalë. Një nga pseudonimet që ka kryeqyteti hungarez është “Qyteti i banjove termale” për shkak se në  kryeqytet ka rreth 120 të tilla.

Të parët që i përdorën ishin romakët dhe ende mund të shihni copëza nga historia në  një prej banjave publike të quajtur Thermae Maiores.

Të radhës që shijuan burimet e nxehta ishin osmanët dhe çuditërisht, disa nga banjat që ata ndërtuan janë funksionale edhe sot. Në fillim të shekullit të 20-të, Perandoria Austro-Hungareze ndërtoi disa nga banjat më ekstravagante.

Historia e gjatë e Budapestit mund të shihet fjalë për fjalë në stilet arkitekturore të ndërtesave që të lënë pa frymë. Stili barok vërehet në shumë fasada. Kjo është një nga format më të përhapura të arkitekturës në Budapest dhe dy nga shembujt më konkretë të këtij stili janë Kisha e Shën Anës dhe Pallati Mbretëror.

Artdashësit nuk duhet të humbasin Muzeun e Arteve të Bukura, Galerinë Kombëtare Hungareze apo Muzeun e Artit Bashkëkohor Ludwig. Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, Hungaria nuk  përdor euron, kështu që çmimet janë dukshëm më të ulëta se në vendet e tjera të BE-së që kanë monedhën e përbashkët.

Budapest

Barcelona në dimër ka përfitimet e veta. Si fillim, qyteti është pak më i ngrohtë se kudo në Evropë, kështu që të kalosh kohë jashtë nuk do të jetë aq e vështirë.

Plus, vizita në  këtë stinë bën që të shmangni numrin e lartë të turistëve që  vijnë për të parë Barcelonën. Kështu do ta keni më të lehtë të vizitoni vende të tilla si Casa Batlló ,një nga monumentet më të famshme në Evropë.

Cilatdo qofshin arsyet tuaja për të vizituar Barcelonën në dimër, duhet të bëni një shëtitje përgjatë La Rambla. Lagja gotike në veçanti është e denjë për t’u eksploruar dhe shtëpitë atje janë shumë të ndryshme nga dizajni i shtëpive të tjera në Spanjë, veçanërisht ato në jug, siç janë ndërtesat andaluziane në Sevilje.

Një arsye tjetër për të vizituar qytetin në dimër janë çmimet. Duke qenë se ka më pak turistë në këtë stinë të vitit dhe kërkesa është më e ulët, do të mund të gjeni shumë më tepër oferta dhe të shijoni vendet më emblematike në mënyrë më ekonomike.

Nuk është patjetër nevoja që ta laheni në plazhet spanjolle për t’i shijuar ato. Ka fusha volejbolli dhe futboll pranë ku mund të bashkoheni me vendasit për një ndeshje.

Barcelona

E meqë jemi tek plazhet, riviera jonë shqiptare po promovohet gjithnjë e më shumë nga mediat e huaja. Lonely Planet, botuesi më i madh i udhërrëfyesve turistikë në botë, i cili zbuloi së fundmi destinacionet më interesante për t’u vizituar gjatë vitit 2023 futi në listën e saj edhe Shqipërinë.

Në disa vende mund ta nisësh ditën në mal dhe ta përfundosh në det. Bukuria natyrore e Shqipërisë do t’iu lërë pa frymë. Shqipëria mund të fitojë një vend në listën tonë më të mirë në udhëtim për t’u çlodhur, por kur ecni nëpër malet e saj, pa dyshim që do të keni më shumë kohë për t’u lidhur me njerëzit që jetojnë atje”, përshkruan udhërrëfyesi global.

Lonely Planet ka sugjeruar një udhëtim katër ditor me disa ndalesa. Për udhëtarët që duan aventurën duhet që ta nisin me Shkodrën, me një nga qytetet më të vjetra në botë. Një ditë e bukur mund të nisë me një vizitë në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi. Përmes këtij muzeu mund të shihen imazhet e jetës së fshatit një shekull më parë.Pas konsumit të ushqimeve tradicionale dhe shëtitjeve, nuk duhet humbur vizita në Kalanë e Rozafës, për të cilën askush nuk e di se sa të vjetra janë themelet e saj.

Nga Shkodra mund të shkohet në Valbonë, jo më larg saj është edhe Thethi. Bujtinat në këtë vend janë me një stil tradicional. Në mëngjesin e ditës së katërt nuk duhet të mungojë një udhëtim në Syrin e Kaltër.

Megjithatë cilidoqoftë destanacioni juaj rëndësi ka të udhëtoni pasi siç shprehej edhe shkrimtari Hans Kristian Andersen të udhëtosh do të thotë të jetosh.


Shtuar 4.01.2023 18:05