Izraeli: Lirimi i pengjeve në Gaza nuk do të fillojë përpara së premtes

Lirimi i pengjeve në bazë të një armëpushimi të përkohshëm midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit nuk do të ndodhë përpara të premtes, tha të mërkurën këshilltari i sigurisë kombëtare të Izraelit.

Izraeli dhe Hamasi ranë dakord herët të mërkurën për një armëpushim në Gaza për të paktën katër ditë, për të lejuar futjen e ndihmave dhe për të liruar të paktën 50 pengje të mbajtura nga militantët në enklavën palestineze në këmbim të të paktën 150 palestinezëve të burgosur në Izrael.

Ende nuk është shpallur zyrtarisht koha e fillimit të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve të marra nga Hamasi gjatë sulmit të përgjakshëm të 7 tetorit ndaj Izraelit. Një burim egjiptian tha se ndërmjetësit kishin kërkuar orën 10 të mëngjesit të enjten për fillimin e procesit.

Televizioni publik izraelit, Kan, citoi një zyrtar izraelit se kishte një vonesë 24-orëshe në marrëveshje sepse nuk ishte nënshkruar nga Hamasi dhe vendi ndërmjetës, Katari. Zyrtari tha se janë optimistë se marrëveshja do të zbatohet pasi të nënshkruhet.

“Fillimi i lirimit të pengjeve do të vazhdojë në bazë të marrëveshjes origjinale mes palëve dhe jo përpara të premtes”, thuhet në një deklaratë të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Tzachi Hanegbi, të publikuar nga zyra e kryeministrit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk përmendi mundësinë e një vonese të zbatimit e marrëveshjes gjatë një konference për shtyp të mërkurën vonë. Deklarata e zotit Hanegbi u publikua rreth një orë pas konferencës së shtypit.

Izraeli thotë se armëpushimi mund të zgjatet më tej nëse lirohen më shumë pengje. Një burim palestinez tha se rreth 100 pengje mund të lirohen deri në fund të muajit.


Shtuar 23.11.2023 07:30