Izraeli ka rënë dakord të fillojë pauzat e përditshme katër-orëshe në luftimet në Gazën veriore për të lejuar njerëzit të largohen, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
SHBA e cilësoi vendimin një hap në drejtimin e duhur.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se pauza e parë humanitare filloi të enjten enjten, duke shtuar se Izraeli ishte zotuar të shpallte çdo pauzë katër-orëshe të paktën tre orë përpara.
“Na është thënë nga izraelitët se nuk do të ketë operacione ushtarake në këto zona gjatë kohëzgjatjes së pauzës dhe se ky proces po fillon sot”, tha Kirby.
Presidenti amerikan Joe Biden u tha gazetarëve se ai i kishte kërkuar Izraelit një “pauzë më të gjatë se tre ditë” gjatë negociatave për lirimin e disa robërve që mbaheshin nga grupi palestinez Hamas, por ai përjashtoi shanset për një armëpushim të përgjithshëm.
Kirby e bëri të qartë se nuk do të kishte armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, duke thënë se kjo do të ndihmonte grupin palestinez të “legjitimonte atë që ata bënë” më 7 tetor, “dhe ne thjesht nuk do ta mbështesim këtë në këtë kohë”.
Biden i kishte kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të vendoste pauzat ditore gjatë një telefonate të hënën, shkruan Albeu.com.
Biden, i pyetur nëse ishte i frustruar nga Netanyahu për vonesat në fillimin e pauzave humanitare, tha: “U desh pak më shumë nga sa shpresoja.”
“Nuk ka armëpushim”
Ndërkohë, Izraeli tha se nuk ka rënë dakord për ndonjë armëpushim, por do të vazhdojë të lejojë pauza të shkurtra, të lokalizuara për të lejuar ndihmën humanitare.
“Nuk ka armëpushim, e përsëris nuk ka armëpushim. Ajo që ne po bëjmë, ajo dritare katër-orëshe, këto janë pauza taktike, lokale për ndihmën humanitare,” tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite Richard Hecht.
Taher al-Nono, një këshilltar politik i liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, tha të enjten se negociatat e papërcaktuara po vazhdonin dhe nuk ishte arritur asnjë marrëveshje me Izraelin deri më tani.
Ai nuk dha më shumë detaje në një deklaratë të postuar në kanalin Telegram të grupit.
Duke raportuar nga Uashingtoni, Kimberly Halkett e Al Jazeera tha se këto pauza “do të lejojnë lirimin e mundshëm të robërve që Hamasi po mban aktualisht … dhe që ilaçet dhe ushqimi të futen brenda.”
“Shtetet e Bashkuara thanë gjithashtu se synojnë të marrin 150 kamionë ndihma në Gaza çdo ditë,” shtoi ajo.
Të paktën 10,812 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori. Në Izrael, numri i të vdekurve gjatë të njëjtës periudhë është më shumë se 1,400.
Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres tha se çdo pauzë humanitare duhet të bëhet në koordinim me Kombet e Bashkuara për të qenë sa më efektive.
Stephane Dujarric shtoi se “natyrisht, në mënyrë që kjo të bëhet në mënyrë të sigurt për qëllime humanitare, duhet të bihet dakord me të gjitha palët në konflikt që të jetë vërtet efektive”.
/Albeu.com