Këtë të shtunë, Hamasi dhe Izraeli bënë shkëmbimin e radhës së pengjeve me të burgosurit, sipas marrëveshjes së dakorduar rreth një muaj më parë.
Tre burra të rrëmbyer nga grupi militant në 7 tetor të 2023, u liruan në këmbim të 180 palestinezëve të burgosur.
Tre izraelitët, u shfaqën në një shesh në Gazën Qendrore, më pas iu dorëzuan kryqit të kuq.
Pamjet e tre meshkujve të cilët dukshëm nuk ishin mbajtur në kushte aq të mira sa femrat që janë liruar në shkëmbimet e mëparshme, u pritën me emocione në Izrael.
Pas lirimit të pengjeve, autobusët me palestinezë dolën nga burgjet e Izraelit për tu drejtuar në bregun perëndimor. Shumë prej tyre ishin gjithashtu në gjendje të rënduar shëndetësore. Disa u dërguan në spital për ndihmë mjekësore.
Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, synon lirimin e 33 pengjeve në total.
Negociatat për fazën e dytë pritet të nisin të hënën, por ende nuk dihen detaje për bisedimet.
Zyra e kryeministrit izraelit Netanjahu, tha se pas këtij këmbimi, një delegacion izraelit do të niset për në Doha për negociata të mëtejme për armëpushimin.
Në fazën e dytë synohet lirimi i më shumë pengjeve dhe hapja e rrugës për përfundimin e përhershëm të luftës.