Ivanka Trump, vajza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale disa pamje nga Zvërneci dhe bregdeti i Vlorës.
Në fotot dhe videot e publikuara shfaqen peizazhe natyrore, si deti apo gjelbërimi i zonës, si dhe pamjet nga larg të ishullit të Sazanit, ndërsa në sfond dëgjohet kënga shqiptare “Luleborë”.

Kujtojmë që Ivanka Trump qëndroi për dy ditë në Vlorë, ndërsa mbrëmjen e djeshme ajo u prit në kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Rama e takoi Ivanka Trump edhe në Vlorë, ku darkuan bashkë me delegacionin që shoqëronte Ivanka Trump.

Mbrëmjen e së mërkurës, Ivanka Trump, ka zhvilluar një takim informal me kryeministrin Edi Rama në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Më pas, ata kanë darkuar në një restorant në Orikum. Në këtë takim, kanë qenë të pranishëm edhe rreth 60 arkitektë.

Ivanka Trump, mbërriti dy ditë më parë, e shoqëruar nga disa arkitektë, në kuadër të projektit për Ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit.
