Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka arrestuar personin e fundit që ishte në kërkim për një dosje droge në Danimarkë.
I arrestuari është pjesë e bandës së Jetmir Kastratit, Astrit Beqirit dhe Dhimitër Shkodranit, të cilët tshmë janë të dënuar me burgim. Banda vepronte në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Belgjikë, Holandë dhe Gjermani.
Kush është Jetmir Kastrati?
Jetmir Kastrati që njihet edhe me emrin Sokol Krasniçi. Ai është dënuar përfundimisht 9 vjet burgim.
Sipas GJKKO që nga viti 2012 deri në qershor të vitit 2019 i pandehuri Jetmir Kastrati, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka trafikuar sasi të mëdha kokaine në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, nga shitja e së cilës ka siguruar të ardhura me origjinë kriminale.
Të dhënat zyrtare tregojnë se këto të ardhura pas vitit 2012 janë shndërruar në pasuri të ndryshme të luajtshme dhe paluajtshme në Shqipëri, duke bërë në këtë mënyrë pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale, nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme në zonën e Velipojës dhe qytetin e Shkodrës, si dhe aktivitete ekonomike në qytetin e Shkodrës, siç ishte një biznes pulari me emrin tregtar “RENS 2015”, pasuri apo aktivitete ekonomike këto të regjistruara në emër të të afërmve të të pandehurit, si dhe të konfiskuara më parë në kuadër të zbatimit të Ligji nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar.
Zbulimi i aktivitetit kriminal, hetimi dhe gjykimi i Jetmir Kastratit, në lidhje me pastrimin e produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale është bërë falë bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorisë së Posaçme me autoritetet e drejtësisë së Danimarkës dhe Norvegjisë, njoftoi dje SPAK. Jetmir Kastrati është kunati i Astrit Beqirajt, ndërsa rezulton se është arrestuar në Danimarkë.
Jetmir Kastrati është dënuar kryerjen e veprave penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim të posaçëm, në formën e të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Si funskiononte grupi kriminal?
Grupi i strukturuar kriminal funksiononte sipas një skeme të mirëpërcaktuar, ku paratë e ardhura nga krimi i trafikimit të narkotikëve, i dërgonte “cash” nga Kopenhagën, Danimarkë, në Tetovë – Maqedoni e Veriut.
Dërgimi nga Kopenhagën në Maqedoni të Veriut bëhej duke i transportuar paratë me anë të autobuzëve (e regjistruar në Tetovë), një nga ortakët e së cilës ishte B. Ali, i arrestuar në Danimarkë. Në Tetovë paratë merreshin kryesisht nga anëtari tjetër i grupit të strukturuar kriminal, Dhimitër Shkodrani, i cili kalonte kufirin në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe më tej këto para dërgoheshin tek Astrit Beqiri, si dhe të afërm të tjerë të grupit kriminal.
Transferimi i parave sipas kësaj skeme bëhej me një frekuencë rreth 2 herë në muaj. Astrit Beqiri është kunati i drejtuesit të grupit të strukturuar kriminal Jetmir Kastrati (i njohur në Danimarkë si Sokol Krasniçi), i arrestuar në Danimarkë.
Hetimi i mëtejshëm provoi se Astrit Beqiri paratë e ardhura nga krimi kishte mundur t’i pastronte duke i investuar në biznes, siç ishte pularia “RENS 2015”, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të sekuestruara. Hetimet dhe arrestimi tyre ishte si pjesë e operacionit të gjerë të zhvilluar në 26 qershor 2019, ku mori pjesë dhe Europol dhe u zhvillua në disa vende të Europës.