Iu sekuestruan 3 milionë euro pasuri, noterja e pa shqetësuar: Vijoj normalisht punën, paratë i kam të ligjshme

Policia e Shtetit ka bërë me dije se në kuadër të operacionin “Nënshkrimi” është bërë i mundur sekuestrimi i 18 aseteve me vlerë 3 milionë euro të noteres Sanja Telhallari pasi dyshohet se janë përfituar nga burime kriminale.

Por pavarësisht këtyre dyshimeve, 35-vjeçarja e këtë të hënë e kishte një ditë të zakonshme pune në zyrën e saj noteriale në Tiranë duke pritur e përcjellë klientë.

E kontaktuar nga “Top Channel”, noterja Telhallari tha se “Vijoj punën normalisht dhe do të shprehem kur gjykata dhe prokuroria të kenë thënë fjalën e tyre. E shkuara e bashkëshortit nuk mund të prekë dhe të ardhurat e mia si notere që janë të gjitha të ligjshme”.

Nga hetimet e kryera nga prokurori Ndini Tavani ka rezultuar se gjatë 11 viteve, nga 2013 deri në 2024, 35 vjeçarja ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në në prej komplekseve më elitare në Tiranë.

Noterja ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.

Këtë luks 35-vjeçarja nuk nguronte ta publikonte as në rrjetet e saj sociale. Sipas prokurorisë së Tiranës dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, Klodian Porja i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.

Por, Sanja Telhallari nuk është një emër i panjohur për autoritetet, por edhe për publikun. E reja ka rënë pre disa herë e hajdutëve.

Në gusht të 2023 një person ka tentuar që t’ia grabisë automjetin tip “Mercedes G Class” . Teksa po qëndronte me partnerin e saj në një nga lokalet e kryeqytetit, një person u rrëmbeu çelësat e makinës nga tavolina dhe nxitoi të grabiste makinën që noterja e kishte parkuar aty pranë.


Shtuar 29.09.2025 17:04