Italia do t’i plasë në Shqipëri, Gjermania merr masa të forta kundër emigrantëve

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe 16 guvernatorët shtetërorë kanë arritur pajtim për vendosjen e masave të reja, më të rrepta, për ta frenuar numrin e madh të emigrantëve që po vijnë në Gjermani, ndërkohë që Italia ka gjetur zgjidhjen duke i sjellë në Shqipëri.

Scholz dhe guvernatorët shtetërorë arritën kompromis mëngjesin e së martës për këtë çështje, e cila është bërë telash i madh politik për Qeverinë dhe temë e nxehtë për shoqërinë.

Masat e reja përfshijnë përshpejtimin e procedurave të azilit, kufizimin e përfitimeve për azilkërkuesit dhe shtimin e ndihmave financiare nga Qeverinë federale për shtetet dhe komunitetet lokale për t’u përballur me këtë fluks, sipas REL.

Duke folur të martën në mëngjes, pas një takimi të mbrëmshëm që zgjati disa orë, Scholz e cilësoi marrëveshjen si “moment historik”, gjë që tregon se sa barrë e madhe ishte bërë kjo çështje për Qeverinë e tij.

Qeveritë shtetërore dhe ajo federale u pajtuan ta ndryshojnë sistemin e financimit të kostos për azilkërkuesit. Duke filluar nga viti i ardhshëm, Qeveria federale do ta paguajë një shumë vjetore prej 7.500 eurove për çdo azilkërkues dhe jo më një shumë të përgjithshme vjetore prej 3.7 miliardë eurosh për ta.

Scholzi e quajti këtë ndryshim “kalim në një sistem të frymëmarrjes” dhe tha se “me rritjen e numrit nuk ka para, me rënien e numrit ka më pak”.

Strehimoret për emigrantët dhe refugjatët në Gjermani janë duke u mbushur tash e disa muaj, dhe Scholz, i cili përballet me trysni të madhe nga opozita dhe të tjerët për ta ndalur këtë trend, ka thënë se “shumë janë duke ardhur”.

Numri i azilkërkuesve për këtë vit ishte 73 për qind më i lartë deri në fund të shtatorit se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat zyrtare.

Gjermania, po ashtu, i ka pranuar më shumë se një milion ukrainas prej se Rusia e nisi pushtimin e atdheut të tyre në shkurt 2022.

Më shumë se 250.000 njerëz aplikuan për azil në Gjermani nga janari deri në shtator, krahasuar me 130.000 sosh në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Shumica e azilkërkuesve vijnë nga Siria, Afganistani dhe Turqia.


Shtuar 7.11.2023 12:17