Do të kryhet sot autopsia për Elton Banin, muratorin shqiptar 41-vjeçar që humbi jetën të dielën, 17 gusht, në Genova, pasi dy karabinierë e goditën 3 herë me taser (armë elektrike)
Ndërkohë Prokurorja Paola Calleri ka vënë nën hetim dy efektivët e policisë për akuzën e vrasje nga pakujdesia. Njëkohësisht është njoftuar edhe avokati Cristiano Mancuso, përfaqësues i familjes së viktimës. Autopsia do të kryhet nga mjekja ligjore Isabella Caristo, ndërsa familjarët e Banit do të kenë ekspertin e tyre, profesor Francesco Ventura.
Vrasja e Eltonit
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Elton Bani kishte filluar të bërtiste dhe të shante dikë, çka bëri që fqinjët të telefononin 118. Mjekët, duke e parë në gjendje të rënduar agjitacioni, kërkuan ndërhyrjen e karabinierëve. Pas mbërritjes, ata e qetësuan dhe e shoqëruan drejt banesës për të marrë dokumentet. Pikërisht në shkallë, Bani dyshohet se nisi të sulmonte karabinierët, duke i goditur disa herë. Në atë moment, ata përdorën taserin, duke e goditur të paktën tre herë, sipas një dëshmitari. Pas goditjes së tretë, Bani ra përtokë pa ndjenja. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta reanimuar, ai ndërroi jetë në vend.
2 të vdekur nga taseri
Eltoni ishte viktima e dytë e taserit brenda 48 orëve pas vdekjes së një 57 vjeçari në Olbia të Italisë. E kjo ka shkaktuar debat të gjerë në Itali.
Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, doli në mbrojtje të përdorimit të taserit.
“Taseri u jepet agjentëve pikërisht për të shmangur përdorimin e armëve të zjarrit”,deklaroi Piantedosi, duke shtuar se rregullat e përdorimit parashikojnë që të përdoret vetëm kur ka përballë persona të dhunshëm e agresivë që përbëjnë rrezik real për të pranishmit, shkruan ministri italian.
“Nga rindërtimet e para, kjo është saktësisht situata në të cilën u gjendën karabinierët që ndërhynë në Olbia dhe Genova”, theksoi ai.
Ministri shprehu “mirënjohje” për forcat e rendit, që sipas tij janë bërë objekt “polemikash të pabaza dhe paragjykuese”, ndërsa njëkohësisht shprehu “dhimbje të thellë për humbjen e dy jetëve”, duke nënvizuar se “autoriteti gjyqësor do të bëjë verifikimet dhe vlerësimet përkatëse”. Por, sipas tij, “asgjë nuk mund të vërë në diskutim profesionalizmin, ekuilibrin dhe përkushtimin e policisë”.
Në të dy rastet, bëhet fjalë për karabinierë që u përballën me situata “jashtëzakonisht të vështira dhe të rrezikshme”. Megjithatë, opozita ka paralajmëruar se sapo të hapet Parlamenti do t’i kërkojë ministrit të Brendshëm një raport të detajuar mbi përdorimin dhe abuzimin e taserit në dispozicion të forcave të rendit.
Sekretari i Più Europa, Riccardo Magi, tha se do të kërkohet edhe shpjegim mbi “sa herë është përdorur arma dhe sa është lidhja mes këtyre vdekjeve dhe shpeshtësisë së përdorimit të saj. Vetëm kështu do të shihet nëse është me të vërtetë i domosdoshëm apo jo”.
Pro përdorimit të taserit është shprehur dhe sindikata e policëve.