Islanda bëhet shteti i pestë që heq dorë nga Eurovisioni, shkaku i pjesëmarrjes së Izraelit

Islanda ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Eurovision Song Contest 2026, duke iu bashkuar vendimit të Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës për bojkot, pas konfirmimit zyrtar të pjesëmarrjes së Izraelit javën e kaluar.

Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes së bordit të radiotelevizionit publik islandez RÚV, u tha: “Shërbimi Kombëtar i Transmetimit në Islandë (RÚV) ka vendosur të mos marrë pjesë në Eurovision, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Vjenë, Austri”.

Sipas RÚV, përfshirja e transmetuesit izraelit KAN ka shkaktuar “ndarje të theksuar mes anëtarëve të Unionit Europian të Transmetuesve (EBU) dhe opinionit të gjerë publik”.

Ky vendim erdhi vetëm pak orë para afatit të fundit për konfirmimin e pjesëmarrjes në edicionin jubilar të 70-vjetorit të festivalit, që do të mbahet në maj. Islanda ishte vendi i fundit që kishte mbetur pa njoftuar një vendim përfundimtar, shkruan BBC.
Prania e Izraelit në Eurovision ka shkaktuar tensione të vazhdueshme, sidomos për shkak të luftës në Gaza dhe shqetësimeve për procesin e votimit dhe fushatat publike. Madje janë bërë akuza se qeveria izraelite ka tentuar të ndikojë votën publike në edicionin e këtij viti.

Javën e kaluar, gjatë një samiti të EBU-së, u miratuan masa të reja për të mbrojtur integritetin e procesit të votimit. Pas këtyre ndryshimeve, shumica e vendeve konfirmuan pjesëmarrjen në ‘Eurovision 2026’.

Megjithatë, RÚV tha se, pavarësisht se masat adresonin një pjesë të shqetësimeve, ende kishte “dyshime nëse rregullimet e reja do të ishin tërësisht të kënaqshme”.

Transmetuesi publik shtoi se ka ngritur vazhdimisht shqetësimet e tij, duke theksuar se shumë grupe të rëndësishme islandeze — përfshirë organizatat e artistëve dhe vetë publiku – ishin kundër pjesëmarrjes.
Prandaj, RÚV ka vendosur t’i njoftojë sot EBU-në se nuk do të marrë pjesë në Eurovision vitin e ardhshëm”.

Bordi i RÚV kishte miratuar më herët një rekomandim për t’i kërkuar EBU-së që të përjashtonte Izraelin nga konkursi.

Raportet thonë se Islanda ka qenë mes shtatë vendeve që kërkuan votim të veçantë për pjesëmarrjen e Izraelit në takimin e përgjithshëm të EBU-së javën e kaluar. Kjo kërkesë u refuzua, dhe pjesëmarrja e Izraelit u lidh me një votim mbi rregullat e reja të votimit dhe fushatës.

Sipas një transkripti të mbledhjes së së enjtes të siguruar nga KAN, drejtori ekzekutiv i transmetuesit, Golan Yochpaz, kritikoi vendet që po përpiqeshin ta përjashtonin Izraelin: “Përpjekja për të larguar KAN nga konkursi mund të kuptohet vetëm si një bojkot kulturor. Ndoshta sot fillon me Izraelin, por askush nuk e di se ku mund të përfundojë apo kë të tjerë mund të dëmtojë”.

“A është ky vërtet imazhi me të cilin duam të mbahet mend konkursi në 70-vjetorin e tij?”.

Izraeli merr pjesë në Eurovision që nga viti 1973, pasi KAN – transmetuesi i tij publik – është anëtar i EBU-së që organizon konkursin. Ai ka fituar katër herë, së fundmi në vitin 2018, dhe mori vendin e dytë në edicionin e vitit 2025.


Shtuar 10.12.2025 19:40