Një prokuror i profilit të lartë paraguaian që luftoi kundër krimit të organizuar në vendin e tij është qëlluar për vdekje gjatë muajit të mjaltit në Kolumbi.
Marcelo Pecci ishte në një plazh në ishullin idilik turistik Baru kur u vra nga dy persona të armatosur.
Disa orë para të shtënave, gruaja e Pecci-t kishte njoftuar në Instagram se ishte shtatzënë.
Presidenti i Paraguajit Mario Abdo Benitez e përshkroi të shtënat si një “vrasje burracake”.
Gruaja e tij, gazetarja Claudia Aguilera, tha se ata u afruan nga dy burra në një plazh privat para se burri i saj të qëllohej. Ajo tha se nuk kishte marrë asnjë kërcënim.
“Dy burra sulmuan Marcelon. Ata erdhën me një varkë të vogël, dhe pa thënë asnjë gjë e goditën me një plumb në fytyrë dhe një tjetër në shpinë”, Aguilera për gazetën El Tiempo.
Prokurori paraguaian Augusto Salas, një koleg i zotit Pecci, tha se sulmi dukej “tipik i mafies së drogës”, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
Kreu i policisë kolumbiane dhe hetuesit nga Paraguaj kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
Zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë gjithashtu hetimin, tha shefi i policisë kombëtare të Kolumbisë, gjenerali Jorge Luis Vargas.
Pecci ishte i specializuar në krimin e organizuar, trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorit.
Në vitin 2020 ai punoi në një çështje kundër ish-futbollistit brazilian Ronaldinho, i cili u arrestua duke u përpjekur të hynte në Paraguaj me një pasaportë të rreme paraguajane./albeu.com