Filmimi i dhunës barbare e ushtruar nga fisi Rraja ndaj 2 kushërinjve Maja në Fushë Krujë të enjten e 6 Korrikut, ishte një mesazh drejtuar banorëve të tjerë të fshatit Borizanë që protestonin kundër gurores së Rrajave.
Kështu u shpreh gazetarja Klodiana Lala në studion e emisionit Opinion, e cila tha se vetë dhunuesit e kanë filmuar ngjarjen dhe videon e kanë shpërndarë më pas qëllimisht në rrjetet sociale.
“Është filmuar nga ana e tyre, nga dhunuesit barbarë, të cilët donin t’u dërgoni mesazh të gjithë personave që protestonin që nëse do ta vijonin këtë histori ata do t’u bënin të njëjtën gjë të gjithëve, pra ishte një mesazh prej “Don Corleoneje”, që nëse ju flisni ne do t’ju shkrijmë të gjithëve dhe do t’ju vdesim të gjithëve”, tha ndër të tjera gazetarja Lala.
Lala tha se Xhelal Rraja njihet me nofkën “gjyshi” dhe është familjar i afërt me disa nga eksponentë të krimit, të cilët akuzohen për vepra penale të rënda.
“Organizatorët e kësaj ngjarje, që është Xhelal Rraja i pari dhe e dini kush është? Njihet me nofkën “gjyshi”, është babai i Ramazan Rrajës, i cili është i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, është i arrestuar. Xhelal Rraja është xhaxhai i Redjan Rrajës, i arrestuar si ekzekutor në ngjarjen e 1 Nëntorit 2019. Flamur Rraja është vëllau tjetër i ish-deputetit socialist. Rexhep Raja ëshë i biri. A e mbani mend se çfarë ndodhi në rastin e Xhisielës? U desh dëshmia e një oficeri police, i cili sot është në azil, i cili zbuloi një skandal të tmerrshëm. U hesht në rastin e Xhisielës përveç disa gazetarëve që e ngritën zërin dhe oficeri i policisë, dhe çfarë ndodhi? Ja kemi këtë situatën. Dhe Rrajat nuk është se i la politika, por i mbyti zullumi i vet, pra shkuan deri në atë pikë ku nuk kishte më se çfarë t’i mbronte”, u shpreh Lala.