“Ishte e rëndë t’i thoje një nëne të ka vdekur djali”, Najada Çomo kujton me lot lajmërimet e vdekjeve çdo mëngjes në pandemi

Mbase duket e largët koha e pandemisë, por jo për ata të cilëve ajo sëmundje u mori të afërmit e zemrës.

E ftuar sot në “S’e Luan Topi”, mjekja Najada Çomo kujton mes lotësh sesi e niste mëngjesin duke lajmëruar familjarët për vdekjet e të afërmve të tyre. Më e rëndë kujton Najada, ishte ku duhej të lajmërohej nëna për vdekjen e fëmijës.

“Ka qenë një nga momentet më të vështira. Ne kishim zgjedhur që informacionin për familjarët e vdekur ta jepnin në mëngjes herët jo natën. Puna ime fillonte me këtë proces, për të lajmëruar familjarët që nuk i njihja. Ka qenë shumë e vështirë të marrësh dikë dhe t’i thuash. Marrja në telefon për t’i thënë ke humbur fëmijën ishte…(përlotet). Ka qenë një nga gjërat më të tmerrshme, shpesh ja mbyllja telefonin sepse po qaja vet. Shumë e rëndë por gjërat e vështira nuk të mbajnë, ose do rrije do qaje në dhomë ose do qanin bashkë si staf. Një doktoreshë kishte babanë e shtruar rëndë, njëra vëllanë rëndë dhe ishte e tmerrshme. Ishte rregull që nuk do i shërbeje prindit tënd se afeksionoheshe dhe mund të gaboje. Kur tre nga doktoreshat, infermierët kanë humbur prindërit e tyre, mendoja se këta njerëz do dorëzoheshin. Ishin humbje të mëdha. Të humbësh prindin ku punon është e rëndë, ata u kthyen pas pak ditësh në punë. Nuk e lanë asnjëherë punën, prandaj e meritojnë mirënjohjen nga njerëzit dhe nga ana ime për punën që kanë bërë”-tregoi mes lotësh Najada Çomo.


Shtuar 23.03.2024 22:03