Ishtë bërë edhe më parë objekt shkeljesh, ja si u bë e mundur kapja dhe sekuestrimi i 500 mijë eurove në Portin e Durrësit

Pasditen e sotme në Portin e Durrësit u sekuestruan 500 mijë euro të padeklaruara në një autobus që vinte nga Bari, Itali.

Paratë ishin të fshehura në tavanin e autobusit dhe të ndara në gjashtë qesë plastmasi.

Më parë u bë me dije se agjentët kishin informacionin për këtë transport ndaj edhe e futën autobusin në skaner, ndërsa tani Albeu.com mëson akoma edhe më shumë detaje.

Kompania e transportit më pronar Elidon Celan, që po ashtu ishte dhe shoferi në të cilin u gjetën eurot ka qenë edhe më parë objekt shkeljesh.

Mësohet se kjo kompani është hetuar edhe më parë pasi janë zbuluar shumë parash, por në sasi me të voglam, si edhe mallra kontrabandë.

Për këtë arsye kompania është mbajtur nën vëzhgim për një kohë të gjatë sic njoftoi edhe policia.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Informacion paraprak.

Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.

Si rezultat i informacioneve dhe kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plasmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro.

Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.

Në përfundim të veprimeve do të japim informacion të plotë./albeu.com