Ishte arrestuar më 12 Korrik për plagosje, ndërron jetë në QSUT një i paraburgosur (EMRI)

Mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00, një i paraburgosur ka ndërruar jetë në ambientet e Urgjencës së QSUT-së.

Ai është shtetasi Besnik Koçiu, 51-vjeç, i cili prej 16 Korrikut ndodhej në paraburgimin “Jordan Misja” në Tiranë.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, Besnik Koçiu, vuante nga Diabet Mellitus, Hipertension Arterial dhe një AVC ishemik të kaluar rreth gjashtë muaj më parë.

Njoftimi:

“Rreth orës 07:00 të datës 24 korrik, personeli infermieror është njoftuar se shtetasi Koçiu ishte pa ndjenja në dhomën e tij. Ai është transportuar menjëherë me urgjencë në QSUT në orën 07:08, ku ka mbërritur në orën 07:12 dhe është trajtuar nga ekipi mjekësor i urgjencës. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, në orën 08:00 është konfirmuar ndarja nga jeta.

Shtetasi Koçiu në momentin e pranimit në institucion ka deklaruar se vuante nga Diabet Mellitus, Hipertension Arterial dhe një AVC ishemik të kaluar rreth gjashtë muaj më parë, për të cilat kishte terapi të vazhdueshme referencë për të cilën i është hapur dhe kartelë mjekësore për kryerjen e ekzaminimeve të vazhdueshme”, – thuhet në njoftim.

Besnik Koçiu, u arrestua pasditen e 12 Korrikut, në lidhje me plagosjen e 34-vjeçarit Franci Xhaferri në një lokal në zonën e Valiasit.

Ky i fundit u paraqit i plagosur në spital, teksa nga hetimet rezultoi se ishte qëlluar nga pakujdesia nga Besnik Koçiu. 51-vjeçari ishte në hetim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”.


Shtuar 24.07.2025 10:48